Helmimi masiv/ Çfarë ndodhi me mbi 300 njerëz në Krujë?

Mbrëmjen e djeshmë në spitalin e Krujës janë paraqitur rreth 370 pacientë, thuajse të gjithë me të njëjtat simptoma. Brenda 48 orëve, në urgjencën e Infektivit dhe atë të Pediatrisë ka pasur fluks pacientësh me diarre dhe të vjella dhe deri më tani dyshohet se shkak është bërë uji i pijshëm. 

Personat me simptoma janë nga zona të ndryshme të Krujës, ndaj dyshimet janë përqendruar te cilësia e ujit të pijshëm që rrjedh në rubineta.

Të moshuar, gra, burra dhe fëmijë kanë shfaqur të njëjtat shenja si dhimbje barku, diarre, të vjella dhe temperaturë, ndërkohë që autoritetet përkatëse janë në pritje të analizave të ujit. Pikërisht për këtë arsye është ndërprerë furnizimi me ujë nga rrjeti i ujësjellsit në qytetin e Krujës, të paktën deri në një përgjigje të analizave.

Ndërkaq, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se ende në spital po marrin mjekim rreth 30 veta, ku mes të cilëve ka dhe fëmijë, por të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Deri në një përgjigje të saktë përsa i përket shkakut, Manastirliu tha se Bashkia e Krujës do të kujdeset për furnizimin alternativ me ujë.

/TopChannel/ Euronews

Read Previous

Pse nuk mund të ndalojmë së shikuari serialin Squid Game, arsyet psikologjike

Read Next

Në Shqipëri shtohen rastet e infeksioneve tek të pavaksinuarit