SHFMU “Ardhmëria” në fshatin Ramoc e ka filluar vitin e ri shkollor me infrastrukturë më të mirë

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Ardhmëria” në fshatin Ramoc e ka filluar vitin e ri shkollor 2021-2022 me infrastrukturë më të mirë. Këtë e kuptuam gjatë vizitës që i bëmë këtij institucioni ku drejtori  Lekë Hajdari na tregoi se së fundmi është bërë lyerja e mureve në hapësirat e brendshme, e poashtu janë rregulluar edhe nyjet sanitare. Këtu vijojnë mësimin 103 nxënës dhe ky proces është i organizuar me dy ndërrime. Kurse prioriteti vazhdon të mbetet ngritja e cilësisë së arsimit.

Sikurse çdo shkollë tjetër edhe këtu vështirësitë janë të ndryshme. Njëra ndër to është mungesa e kabineteve në lëndët përkatëse. Kjo po bënë që orët mësimore në lëndët si gjeografi, fizikë, kimi dhe biologji të zhvillohen vetëm në klasë. I vetmi kabinet është ai i teknologjisë.

Ndërsa për mësimdhënësit sfidë ka qenë zhvillimi mësimit online apo në distancë.

Ata që i janë gëzuar fillimit të mësimit në mënyrë fizike janë edhe nxënësit të cilët thonë se po e kanë më të lehtë mësimnxënien.

Këtu është edhe klasa e ciklit parashkollor e cila është e pajisur me të gjitha mjetet mësimore dhe infrastrukturë adekuate. Dikur kjo shkollë nuk kishte fushë të edukatës fizike, mirëpo tani ndërtimi i saj është në përfundim e sipër dhe ky investim është nga drejtoria komunale e arsimit. Kurse rregulimi i oborrit dhe rrethojave të shkollës është bërë nga buxheti vetanak i shkollës. Por krahas kësaj nuk kanë munguar edhe donacionet nga komuniteti  këtushëm. Theksojmë se në këtë vatër arsimore vijojnë mësimin fëmijët nga fshatrat Ramoc, Rrypaj, Madanaj dhe Meje.

Read Previous

Banka Qendrore: Ekonomia e Kosovës pritet të rritet në 9.9 për qind për vitin 2021

Read Next

​Osmani takim me komandantin e KFOR-it: Kosova synon hyrjen në NATO