Afganistani nga sot është në duart e talebanëve. Ky grupim arriti që brenda 10 ditëve të merrte kontrollin e vendit dhe pse parashikimet ishin se kjo ditë mund të ishte disa muaj larg.
Luftëtarët talebanë morën qytetin e parë më 6 Gusht dhe më 15 Gusht, ata ishin në portat e Kabulit. Përparimi i tyre i rrufeshëm bëri që dhjetëra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, shumë prej të cilëve mbërritën në kryeqytetin afgan, ndërsa të tjerë u drejtuan për në vendet fqinje.
Presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi dhe mijëra bashkatdhetarë u përpoqën të bënin të njëjtën gjë. Të inkurajuar nga tërheqja e forcave amerikane dhe të tjera ndërkombëtare, talebanët tashmë kontrollonin pothuajse të gjithë vendin.
Deri më 8 Gusht, talebanët kishin marrë kontrollin në Kunduz, Herat, Lashkar Gah dhe Kandahar. Pavarësisht 20 viteve të mbështetjes nga jashtë, miliarda dollarë financim, një program të gjerë trajnimi dhe mbështetje ajrore amerikane, forcat afgane të sigurisë u dorëzuan brenda 10 ditëve.
Në shumë zona, njësitë afgane që e gjetën veten pa municion dhe furnizime të tjera. Trupat e armatosura dhe të trajnuara nga SHBA për të mbrojtur afganët e zakonshëm i lanë ata të kujdesen për veten.
Dhe në disa vende, autoritetet ranë dakord të lejojnë talebanët të marrin përsipër, për të shmangur gjakderdhjen e mëtejshme. Në Ghazni shefi i policisë dhe guvernatori të dy u lejuan të largohen nga qyteti në këmbim të pajtimit për marrjen nën kontroll të talebanëve./tvklan.al