Argjentinasi njoftoi se të dielën do të zhvilloje një konferencë
Oferta të çmendura për Leo Mesin! Gjashtë herë fituesi i “Topit të artë” është pa skuadër dhe janë disa klubet e gatshme që e duan. Sapo u shpall njoftimi se “Pleshti” dhe Barça nuk do të rinovojnë, PSG-ja u hodh menjëherë në sulm.
Oferta që Mesit i është bërë për të veshur fanellën e parisienëve është e majme. Ai do të përfitojë 40 milionë Euro në vit dhe do të firmosë një kontratë dy vjeçare me të drejtë rinovimi edhe për një vit.
Për më tepër që do të ketë edhe bonuse të tjera për futbollistin. Arritjen e akordit e njoftoi vetë vëllai i emirit të Katarit, që ka në pronësi klubin parisien me një mesazh në Twitter. Madje, PSG-ja do që ta habisë botën e futbollit me blerjen e “Pleshtit” dhe ka prenotuar edhe kullën Eifel në datën 10 Gusht, për të bërë prezantimin e numrit 10 të ri.
Ndërkohë Messi lajmëroi se do të mbajë ditën e diel në orën 12:00 një konferencë për shtyp në “Kamp Nou”, ku do të flasë për largimin nga Barcelona pas 21 vitesh. Përveç mesazhit për tifozët blaugrana, gjasat janë të mëdha që ai të tregojë edhe destinacionin e ri.
Interesim për “Pleshtin” ka shprehur edhe klubi i Çelsit dhe i Mançester Sitit. Ndërkohë që një ofertë e çmendur ka ardhur sërish nga Katari. Klubi i Al Sad është gati që ta paguajë atë 1 miliardë Euro për 3 vite. Te klubi nga Katari trajner është ish-shoku i ekipit, Ksavi.
Klan News