Prokuroria ndalon punimet për muralin e Nënë Terezës në Prishtinë, Rama kundërshton vendimin

Punimet për vendosjen e muralit të Nënë Terezës në objektin ku ndodhet Ministria e Ekonomisë në Prishtinë janë ndërprerë pas një vendimi të Prokurorit të Shtetit, i cili kërkon që ato të mos vazhdojnë deri në marrjen e një vendimi nga gjykata.

Vendimin ia ka prezantuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, komandanti i Policisë, Fatmir Balaj, duke bërë të ditur se Policia e ka pranuar zyrtarisht urdhrin e Prokurorisë.

Sipas Balajt, ndërprerja e punimeve lidhet me kontestin ndërmjet Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Komunës së Prishtinës. Ai ka theksuar se dokumentin nuk mund ta bëjë publik pa autorizim dhe se mediat duhet t’i drejtohen Prokurorisë për më shumë informacione.

“E pranuam zyrtarisht vendimin prej Prokurorit të Shtetit që, deri në një vendim të gjykatës, të mos lejohen zhvillimet e punimeve për shkak të problematikave mes dy palëve, mes Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Komunës. Nuk më lejohet ta nxjerr këtë dokument jashtë pa autorizim. Mediat le t’i drejtohen Prokurorisë”, ka thënë Balaj.

Nga ana tjetër, Rama e ka kundërshtuar arsyetimin se bëhet fjalë për një kontest mes dy institucioneve. Ai ka pretenduar se objekti dhe fasadat e hapësirave publike janë në kompetencë të kryeqytetit dhe se Komuna ka vepruar në bazë të vendimeve të Kuvendit Komunal dhe autorizimeve përkatëse.

“Cilat dy palë? Ministria nuk është palë këtu. Prokurori paska marrë një vendim… një vendim që është marrë prej asamblistëve, me të gjitha lejet, me të gjitha të drejtat si qeverisje lokale, është bllokuar tash sepse ka kontest mes dy palëve. Pse ministria është palë? Ky objekt s’është pronë e ministrisë, nuk është asgjë në kompetencë të tyre, këto objekte janë kompetencë të kryeqytetit”, ka thënë Rama.

Rama ka deklaruar se vendimi i Prokurorisë ka bllokuar një projekt për të cilin, sipas tij, Komuna i ka përmbushur të gjitha procedurat ligjore. Ai gjithashtu ka akuzuar Policinë se po vepron sipas urdhrave politikë.

“Prokurori paska marrë një vendim për të mos e lejuar punën derisa të vendosë gjykata. Një vendim që është marrë prej asamblistëve të kryeqytetit për ta vazhduar këtë punim, një vendim i plotfuqishëm me të gjitha lejet, të drejtat ligjore, kushtetuese si qeverisje lokale, është bllokuar tash sepse po thotë që ka kontest mes të dyja palëve, komuna e Prishtinës dhe Ministria. Po pse Ministria? Kjo nuk është ndërtesë e Ministrisë, këto hapësirat publike, fasadat janë në kompetencë të kryeqytetit dhe ne i kemi i kryer të gjitha veprimet e dokumentet që është plotësisht ligjore”, ka thënë Rama.

Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë kishte reaguar më herët, duke pretenduar se Komuna e Prishtinës ka dhënë pëlqim për ndërhyrje në një objekt që nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të saj, pa autorizim, konsultim apo njoftim paraprak të ministrive përgjegjëse.

Ministria kishte bërë të ditur se për këtë çështje e kishte njoftuar Policinë e Kosovës, e cila kishte dalë në terren për të ndaluar punimet.

Përplasja mes institucioneve lidhur me vendosjen e muralit të Nënë Terezës pritet të marrë epilog pas vendimit të gjykatës. /tvsyrivision/

Read Previous

Leclerc: Marrëdhënia me Lewis nuk është e shkëlqyer, por të dy duhet të gjejmë një zgjidhje

Read Next

Mesazhi i fundit i presidentit Ibrahim Rugova për 28 Nëntorin