Picula: Beogradi vazhdon me të njëjtat interpretime për luftërat në Kosovë, Kroaci e Bosnjë

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, ka deklaruar se reagimet e Beogradit ndaj Rezolutës për Vukovarin nuk japin shpresë se Serbia do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj ngjarjeve të luftërave të viteve ’90.

Picula ka vlerësuar se kundërshtimet ndaj rezolutës, të shprehura nga një grup studentor në Serbi, janë domethënëse, pasi pasqyrojnë qëndrimet e krahut politik që fitoi zgjedhjet dhe tashmë po formon qeverinë e re.

Studentët kundërshtues kanë pretenduar se teksti i rezolutës nuk i merr parasysh vuajtjet e popullit serb.

Sipas Piculës, reagimet nga Beogradi nuk dallojnë nga interpretimet që Serbia ka dhënë prej vitesh për luftërat e viteve ’90.

“Ajo që kemi dëgjuar lë pak shpresë se së shpejti do të ketë një ndryshim në mënyrën se si interpretohen ngjarjet që ndodhën në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se mbetet të shihet nëse qeveria e re serbe do të ketë kapacitetin të shkëputet nga një politikë, rrënjët e së cilës datojnë që nga vitet ’80.

Duke folur për përmbajtjen e rezolutës, Picula ka theksuar se ajo përcjell një mesazh të qartë kundër politikave agresive dhe autoritare, të cilat përmes projekteve për krijimin e “shteteve të mëdha” rrezikojnë paqen dhe bashkëpunimin.

Ai ka vlerësuar edhe përfshirjen e Ukrainës në tekstin e rezolutës, duke theksuar se mund të krijohen paralele mes popujve që mbrojnë vendin e tyre nga agresioni dhe pushtimi.

“Është e rëndësishme që këto politika të identifikohen me kohë”, ka përfunduar Picula.

/GazetaSinjali/

Read Previous

X prezanton kontrollin prindëror për adoleshentët, prindërit mund të kufizojnë kohën dhe mesazhet

Read Next

Italia ndalon zyrtarisht burkat dhe nikabet në shkolla