Rama kërkon nga BE-ja hapjen e statusit të kandidatit për Kosovën
Një rast i pazakontë në shtetin amerikan të Tennessee-t ka rikthyer debatin për dënimin me vdekje, pasi një grua e dënuar për vrasje i mbijetoi ekzekutimit me injeksion vdekjeprurës, por autoritetet vazhdojnë të këmbëngulin në zbatimin e dënimit.
Christa Pike, 50 vjeçe, i mbijetoi përpjekjes për ekzekutim më 30 shtator, pasi gjatë procedurës iu administruan dy doza të pentobarbitalit, substancë që përdoret në ekzekutimet me injeksion.
Pas procedurës së dështuar, ajo u dërgua në spital në gjendje të rëndë dhe u vendos në respirator. Avokatët e saj fillimisht kishin frikë se nuk do të mbijetonte, por Pike u zgjua më vonë dhe nisi gradualisht të rikuperonte aftësinë për të folur dhe për të ecur, me ndihmë.
Pike ishte dënuar me vdekje për vrasjen e Colleen Slemmer në vitin 1995, kur ishte vetëm 18 vjeçe.
Pas incidentit, ekipi i saj mbrojtës ka kërkuar që dy specialistë të pavarur ta ekzaminojnë, në mënyrë që të vlerësojnë pasojat fizike dhe psikologjike të përpjekjes së dështuar për ekzekutim, raporton CNN.
Avokatët kërkojnë që ekzaminimet të zhvillohen pa praninë e përfaqësuesve të burgut, por administrata e burgjeve të Tennessee-t e kundërshton këtë kërkesë, duke u thirrur në rregulloret aktuale.
Gjykata në Nashville pritet ta shqyrtojë çështjen më 15 dhjetor.
Ndërkohë, guvernatori republikan i Tennessee-t, Bill Lee, ka urdhëruar hetim për dështimet gjatë procedurës së ekzekutimit dhe ka pezulluar për një kohë të pacaktuar një ekzekutim tjetër të planifikuar në këtë shtet.
Megjithatë, Lee nuk ka shprehur gatishmëri për t’ia zëvendësuar Pike-s dënimin me vdekje me burgim të përjetshëm. Ai ka deklaruar se pret që vendimi të mbetet në fuqi, përveç nëse gjykatat vendosin ndryshe.
Vetë Pike ka folur për pasojat e incidentit, duke theksuar se dhimbja që po përjeton nuk është vetëm fizike, por edhe psikologjike.
Rasti konsiderohet i pari i njohur në të cilin një person i dënuar me vdekje ka mbijetuar pasi autoritetet i kanë administruar substancat e përdorura për ekzekutim, duke ngritur pikëpyetje të reja mbi sigurinë dhe ligjshmërinë e injeksionit vdekjeprurës në SHBA.

