Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se javën e ardhshme pritet të jetë gati drafti i programit të ri qeverisës, pas zgjedhjes së presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula.
Në një njoftim drejtuar qytetarëve dhe aktivistëve, Kurti ka vlerësuar se me zgjedhjen e presidentes është siguruar stabiliteti institucional për funksionim demokratik, zhvillim ekonomik dhe përparim shoqëror gjatë katërvjeçarit të ardhshëm.
Ai ka thënë se në programin e ri do të përfshihen zotimet me të cilat, sipas tij, kanë fituar sërish besimin e qytetarëve në zgjedhje.
Në njoftimin e tij, Kurti ka bërë edhe një krahasim të kohëzgjatjes së qeverive të udhëhequra prej tij. Sipas tij, Qeveria Kurti 1 zgjati katër muaj, me 51 ditë me kompetenca të plota, ndërsa Qeveria Kurti 3 zgjati shtatë muaj e dy ditë, me 77 ditë me kompetenca të plota. Ai ka bërë të ditur se Qeveria Kurti 4 ka nisur më 13 shtator 2026.
Njoftimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Të dashur qytetarë dhe aktivistë,
Pas zgjedhjes së Presidentes së re të Republikës, Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, kemi stabilitet të plotë institucional për funksionim demokratik, zhvillim ekonomik dhe përparim shoqëror në katërvjeçarin para nesh. Javën e ardhshme do ta kemi gati draftin e programit tonë të ri qeverisës ku janë bërë bashkë dhe shtjelluar zotimet tona me të cilat fituam përsëri zgjedhjet me votën dhe mbështetjen tuaj. Në themel të fitores sonë është besimi juaj që është përgjegjësi për ne, por edhe sukseset e përbashkëta e të arriturat e shumta në këto vitet e fundit.
Kurti 1 në vitin 2020 zgjati vetëm 4 muaj (51 ditë me kompetenca të plota), Kurti 3 sivjet zgjati 7 muaj e dy ditë (77 ditë me kompetenca të plota), ndërkaq Kurti 4 nisi më 13 shtator 2026. Mirëpo, të arriturat kryesore për Kosovën dhe qytetarët e saj natyrisht që ishin në Kurti 2. Dhe, në vijim keni përmbledhjen me të arriturat kryesore të Kurti 2.
Ju falemnderit.

