Van Dijk në radarët e Milanit, holandezi ende i pavendosur për të ardhmen te Liverpooli

E ardhmja e Virgil van Dijk te Liverpooli mbetet e paqartë, ndërsa mbrojtësi holandez po shqyrton mundësitë për vazhdimin e karrierës. Në këtë situatë, Milani po e sheh atë si një objektiv të mundshëm për merkaton e verës së ardhshme.

Van Dijk ka mohuar informacionet që kanë qarkulluar lidhur me një vendim të marrë për rinovimin ose largimin nga Liverpooli, duke bërë të ditur se ende nuk ka vendosur asgjë.

“Nuk kam vendosur asgjë. Çfarëdo versioni që të shihni në qarkullim, se Van Dijk rinovon apo nuk rinovon, nuk është i vërtetë. Jam në fazën e vlerësimeve”, ka deklaruar mbrojtësi.

Holandezi ka lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të aventurës në Anfield, duke shprehur mirënjohje për klubin që i ka dhënë shumë gjatë karrierës së tij.

“Nëse do të rinovoja, do të isha i lumtur të vazhdoja këtu. Nëse nuk ndodh, mundem vetëm ta falënderoj Liverpool-in, sepse ka qenë një vend ku më kanë dhënë shpirtin, ku edhe unë kam dhënë gjithçka”, është shprehur ai.

Kontrata e Van Dijk përfundon më 30 qershor 2027, ndërsa Milani po e ndjek situatën e tij me interes, duke e konsideruar një përforcim të mundshëm për sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë, drejtuesit e klubit italian po përgatiten edhe për merkaton e janarit, e cila hapet më 2 janar dhe përfundon më 1 shkurt 2027.

Pronari i Milanit, Gerry Cardinale, ka zhvilluar takime në selinë e klubit, ku një nga temat kryesore ka qenë rinovimi i kontratës së Adrien Rabiot deri në vitin 2031. Marrëveshja aktuale e mesfushorit francez është e vlefshme deri në qershor të vitit 2028.

Një tjetër çështje në planet e kuqezinjve është zyrtarizimi i Markus Krösche si drejtor i ri i futbollit, me përgjegjësi për sektorin sportiv dhe merkaton, si dhe për bashkëpunimin me trajnerin Ruben Amorim.

Cardinale pritet të jetë në Milanello për të mbështetur skuadrën para ndeshjes në shtëpi kundër Frosinones. /tvsyrivision/

Read Previous

​Hoti: Qeveria nuk mori masa kundër shtrenjtimit, bizneset me fatura trefish më të larta të energjisë

Read Next

Goditje e rëndë për Bayernin, Harry Kane rrezikon të mungojë për muaj të tërë