Rama: 93% e kontratave fitohen nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, më mirë sesa 21 vende të BE-së

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot 93% e kontratave në Shqipëri fitohen nga ndërmarrjet e vogla e të mesme (SME) ndërsa theksoi se aktualisht vetëm 2.4% janë prokurime publike pa garë krahasuar me 31% e totalit të procedurave në vitin 2012.

Gjatë prezantimit të modelit të ri të Prokurimit të Përqendruar, kryeministri Rama theksoi se ky transformim do të sjellë më shumë siguri, shpejtësi dhe transparencë në përdorimin e fondeve publike, duke e çuar prokurimin publik drejt standardeve europiane dhe një administrim të specializuar, ku teknologjia do të mbështesë çdo hallkë të procesit, ndërsa vendimmarrja do të mbetet njerëzore.

“Sot ne jemi gati të nisim punën për ndërtimin e sistemit të ri të prokurimit elektronik që është një sistem unik jo vetëm në Shqipëri, por shumë më gjerë se kaq, ku inteligjenca artificiale do të flasë praktikisht gjuhën e çdo grupi interesi që e ka të lidhur aktivitetin e tij me aksesin në prokurimet publike të Shqipërisë”, tha Rama.

Sipas tij, “asnjë biznes nuk do detyrohet më të mbledhë letra për të pasur mundësinë të dorëzojë një ofertë për një prokurim publik”.

“Gjithçka që lidhet me informacionin mbi një biznes apo një tjetër, do të kalojë nga Diella, ku mbi 40 regjistra publikë do të jenë aty për t’u hapur me një klik të vetëm dhe për të bërë të gjithë punën që sot biznesi e bën duke angazhuar njerëz dhe duke konsumuar kohë, duke ndeshur pengesa të natyrave të ndryshme”, shtoi Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se ky do të jetë një revolucion i mirëfilltë edhe në aspektin e problematikave për hartimin e specifikimeve teknike, për përllogaritjen e fondeve limite, për teknikën e shqyrtimit të ofertave dhe të vlerësimit të tyre”.

“Të gjitha këto do të jenë nën mbikëqyrjen e Diellës, e cila po përgatitet që të ofrojë zgjidhje me algoritme inteligjente për të gjitha hallkat e këtij procesi. Këtu ne hyjmë në një fazë të re të një procesi të thellë të reformimit dhe të modernizimit të prokurimit publik, i cili mbështetet në standardet më të larta të transparencës, ku publikimet do të bazohen në “e-forms” të Bashkimit Europian”, tha Rama.

Rama theksoi se Shqipëria është vendi më i vlerësuar në rajon nga SIGMA, mekanizmi i Komisionit Europian, për sa i përket fushës së prokurimeve publike, me diferencë nga vendi i dytë.

Në këtë drejtim, kryeministri kujtoi se në vitin 2012 procedurat pa garë, ishin 31% e totalit të procedurave të Prokurimit Publik, ndërsa në vitin 2025 ishin vetëm 2.4%.

“Ky është një standard i ri i vendosur dhe tanimë duket e pabesueshme që të ndodhi e kundërta, që procedurat pa garë për fondet publike të jenë sa 1/3 e të gjitha procedurave të prokurimit. Sot ne e kemi përafruar legjislacionin e prokurimit publik në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian dhe vetëm pak ditë më parë kemi miratuar edhe projektligjin për disa ndryshime të reja në ligjin e prokurimit publik që faktikisht mbyll tërësisht kornizën e përafrimit të legjislacionit”, shtoi Rama.

Po ashtu Rama bëri të ditur se nga platforma digjitale e transparencës së Komisionit Europian, “public procurement data space” për vitin 2025 në Bashkimin Europian kontratat me një ofertë ishin 32.3%, ndërkohë që në Shqipëri ato ishin 23%.

“Në këtë indikator Shqipëria gjendet në një shoqëri shumë të lartë për sa i përket prokurimit publik, në të njëjtin grup me Suedinë, me Gjermaninë, me Finlandën dhe me Francën, shumë nën mesataren e Bashkimit Europian në aspektin pozitiv”, theksoi ai.

Po ashtu, Rama theksoi se 93% e kontratave në Shqipëri fitohen nga SME-të, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërkohë që në BE SME-të fitojnë vetëm 46% të kontratave.

“Natyrisht që, struktura ekonomike e Bashkimit Europian është tjetër, por kjo për të thënë se ku shkojnë fondet publike. Një tjetër tymnajë e madhe për indikatorin e tenderave pa garë, zhbëhet plotësisht po të shohësh se Shqipëria është më mirë sesa 21 vende të Bashkimit Europian. Në raportin që SIGMA publikoi për fushën e prokurimit publik, Shqipëria ka një vlerësim 81 në 100, që është vlerësimi më i lartë në pikët mesatare për të gjitha vendet e rajonit”, u shpreh Rama. /ATSH/

Read Previous

Felipe Melo mbron Cristiano Ronaldon: Kulmi i mosmirënjohjes, Portugalia para tij nuk kishte fituar asgjë

Read Next

Dy të tretat e zviceranëve duan ta shfuqizojnë “Black Friday”