Britania rrezikon gjobë disa milionëshe nëse tërhiqet nga marrëveshja e re me BE-në

©AP Images/European Union-EP

Mbretëria e Bashkuar mund të detyrohet të paguajë gjobë prej disa milionë paundësh nëse një qeveri e ardhshme tërhiqet nga një marrëveshje e rivendosjes së Brexit-it që pritet të nënshkruhet në Bruksel më vonë këtë javë, transmeton Anadolu.

Negociatorët britanikë dhe të BE-së kanë rënë dakord për një klauzolë në marrëveshjen ushqimore dhe bujqësore që pritet të nënshkruhet gjatë samitit të shumëpritur BE-Britani të premten, e cila do të kërkonte që secila palë të paguajë kompensim nëse tërhiqet, raportoi e përditshmja britanike “The Times” të hënën vonë.

Megjithatë, Britania do të paguante atë që raporti e quajti një “dënim Farage” prej shumë milionë paundësh nëse tërhiqej nga marrëveshja. Klauzola është krijuar për të trajtuar pasigurinë nëse marrëveshja do të mbijetonte nëse kreu i Partisë Reformuese (Reform Party) Nigel Farage ose kryetarja e Partisë Konservatore, Kemi Badenoch do të bëheshin kryeministra.

Farage, i cili gjithashtu do të udhëtojë në Bruksel të premten, ka kritikuar tashmë marrëveshjen e planifikuar, duke thënë se Reforma UK do ta anulojë atë. Ai ka qenë veçanërisht kritik ndaj propozimeve që do të nënkuptonin se Mbretëria e Bashkuar do të ndiqte automatikisht rregullat e BE-së për ushqimin dhe bujqësinë pa pasur asnjë fuqi për t’i bllokuar ato.

Duke folur të hënën, kryeministri Andy Burnham tha se ai do të fillonte diskutimet me Brukselin për një marrëdhënie afatgjatë me bllokun dhe më pas do të parashtronte opsionet për publikun. Ai vuri në dukje se Britania ka “humbur më shumë sesa kemi fituar” nga Brexit-i dhe se vendi përfundimisht u largua nga Bashkimi Evropian “me kushte të këqija me ndjenja të këqija”.

Sipas marrëveshjes së raportuar me BE-në, Britania do të pranojë të ndjekë standardet ekzistuese dhe të ardhshme veterinare dhe ushqimore të BE-së dhe rregullat e mirëqenies së kafshëve. Në këmbim, Brukseli do të heqë kërkesat e tij për dokumentet dhe inspektimet fizike mbi eksportet e ushqimeve dhe bujqësore në BE, të cilat kryeministri britanik ka sugjeruar se do t’i jepte një nxitje ekonomisë së Britanisë.

Një burim i lartë i BE-së tha se klauzolat e kompensimit për thyerjen e kushteve të një marrëveshjeje ndërkombëtare nuk janë të pazakonta, duke shtuar se në këtë rast do të zbatohej në mënyrë të barabartë nëse Brukseli tërhiqet.

Ndërkohë, burimet në Mbretërinë e Bashkuar hodhën poshtë nocionin se ishte një “dënim Farage”, duke thënë se një klauzolë e tillë ishte rutinë në marrëveshjet ndërkombëtare, ishte shkruar “për të punuar në të dyja drejtimet” dhe do të detyronte BE-në të kompensonte MB-në nëse tërhiqej nga marrëveshja. /Anadolu Agency/

Read Previous

Rey Manaj i afrohet rekordit si golashënuesi më i mirë në histori të Shqipërisë

Read Next

Berisha: Qytetarët t’i bashkohen protestës së 28 Nëntorit, nderimi më i madh për flamurin