​“Do të protestojmë deri në fund”, qytetarët e Skenderajt e quajnë të padrejtë dënimin e Thaçit në Hagë

Qytetarët e Skenderajt e kanë cilësuar të padrejtë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, me të cilin ish-presidenti Hashim Thaçi u dënua me një vit e pesë muaj burgim për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Në reagimet e tyre për KosovaPress, qytetarët shprehën pakënaqësi ndaj këtij vendimi, duke e konsideruar atë të motivuar politikisht. Disa prej tyre paralajmëruan edhe protesta, duke kërkuar lirimin sa më të shpejtë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qytetari Afrim Hetemi shprehu zhgënjimin e tij me zhvillimet e fundit, duke thënë se nuk ka mbështetje.

“Nuk ka shtet, nuk ka kurrgjë. Më herët është dashur ti dal në ndihmë, nuk ka pagesa. Nuk e di çka bëjmë tash”, tha Hetemi.

Edhe Jetish Ahmeti e konsideroi të padrejtë aktgjykimin, duke theksuar se ish-krerët e UÇK-së kishin luftuar për mbrojtjen e vendit të tyre dhe jo në territore të huaja.

“Ishalla vjen tek populli vet, familja, sa më shpejt, të katërtit. E padrejtë është, ai nuk ka shkuar me luftua kurrkund në vend të huaj, ka mbrojtur vendin e vet”, tha Ahmeti.

Ndërkaq, Xhafer Gjinovci pretendoi se proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë prapavijë politike. Ai paralajmëroi se qytetarët do të vazhdojnë të protestojnë deri në lirimin e tyre.

“Tash duhet ta dimë se ky vepra të këqija nuk ka pasur, janë bë me qëllime politike, ka pasur akt politik, qëllime jo të mira. Si qytetarë reagime do të bëjmë deri në fund, që ata të lirohen sa më shpejtë se na humbet edhe lufta e lirisë, ajo duhet të jetë pozitive. Do të protestojmë deri në fund”, tha Gjinovci.

Kritika ndaj vendimit pati edhe Destan Emini, i cili akuzoi Serbinë dhe Rusinë se qëndrojnë prapa zhvillimeve ndaj Thaçit, ndërsa kërkoi organizimin e protestave.

“Ja ka bë e gjithë Serbia, rusi atij. I padrejtë shumë, ata janë duke punuar vetëm për hatër të Serbisë. Duhet s’kemi qare me protestua”, tha Emini.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në aktgjykimin e shpallur të martën, e dënuan Hashim Thaçin me 17 muaj burgim, pasi e shpallën fajtor për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Në të njëjtin proces, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burgim, Hajredin Kuçi me një muaj burgim me kusht, ndërsa Isni Kilaj u shpall i pafajshëm. /KosovaPress/

Read Previous

Pse Manchester Unitedi e zgjodhi Pochettinon? Flet Steven Gerrard

Read Next

Ali Ahmeti kujton 32-vjetorin e emërtimit të UÇK-së: Një datë me peshë të madhe historike