Sondazhi i KDI-së: Mbi 50% e qytetarëve nuk besojnë se mund t’i realizojnë të drejtat në gjykata

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar rezultatet e një sondazhi të opinionit publik lidhur me reformën në drejtësi, përmes të cilit janë evidentuar shqetësimet e qytetarëve për pavarësinë e gjyqësorit, efikasitetin e gjykatave dhe llogaridhënien e gjyqtarëve e prokurorëve.

Gjatë prezantimit të të gjeturave, Eriola Muhaxhiri nga KDI bëri të ditur se vetëm 8.5 për qind e të anketuarve besojnë se gjyqtarët dhe prokurorët janë plotësisht të pavarur nga ndikimet e jashtme. Ndërkohë, 41 për qind i konsiderojnë ata deri diku të pavarur, ndërsa 37.3 për qind kanë vlerësim më kritik për pavarësinë e tyre.

Sa i përket përzgjedhjes dhe avancimit në sistemin gjyqësor, rezultatet tregojnë një perceptim më pozitiv. Rreth 51 për qind e qytetarëve besojnë se gjyqtarët përzgjidhen dhe avancohen në bazë të aftësive profesionale dhe rezultateve në punë.

Megjithatë, vlerësimi i performancës dhe masat disiplinore ndaj gjyqtarëve e prokurorëve vazhdojnë të jenë fusha ku qytetarët shprehin më shumë rezerva. Sipas sondazhit, 41.4 për qind e të anketuarve mendojnë se performanca e gjyqtarëve vlerësohet rregullisht dhe në mënyrë të paanshme, ndërsa 38.8 për qind besojnë se ndaj zyrtarëve të drejtësisë që shkelin rregullat ndërmerren masa.

Një tjetër shqetësim i evidentuar në këtë hulumtim është kohëzgjatja e procedurave gjyqësore. Sipas Muhaxhirit, 48.4 për qind e qytetarëve të anketuar vlerësojnë se gjykatat nuk arrijnë t’i përfundojnë lëndët brenda një afati të arsyeshëm.

Po ashtu, rezultatet nxjerrin në pah edhe mungesën e besimit të një pjese të konsiderueshme të qytetarëve në mundësinë për të realizuar të drejtat e tyre përmes sistemit gjyqësor.

“50.6% e qytetarëve besojnë se nuk mund të realizohen të drejtat e tyre në gjykata dhe prandaj edhe nuk i drejtohen fare gjykatave”, u shpreh Muhaxhiri.

Sondazhi ka trajtuar edhe përvojat personale të qytetarëve me sistemin e drejtësisë. Nga të anketuarit, 28 për qind e kanë vlerësuar përvojën e tyre si shumë të mirë ose deri diku të mirë, ndërsa 20 për qind si deri diku të keqe ose shumë të keqe.

Në anën tjetër, 47.1 për qind kanë deklaruar se nuk kanë pasur ndonjë rast apo lëndë të trajtuar në gjykata.

Të gjeturat e publikuara nga KDI paraqesin perceptimin e qytetarëve për funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe sfidat që, sipas tyre, kërkojnë adresim përmes reformave. /tvsyrivision/

Read Previous

Declan ​Rice drejt rinovimit të kontratës me Arsenalin, mund të bëhet njëri prej futbollistëve më të paguar në klub

Read Next

Black Friday në AZTECH!