​Hapet shkolla vjeshtore e BE-së 2026, studentët përgatiten për tregun e punës

Shkolla vjeshtore e Bashkimit Evropian 2026 ka nisur aktivitetet në Prishtinë, duke mbledhur studentë, profesorë, ekspertë ndërkombëtarë dhe përfitues të bursave të programit “Young Cell Scheme”, për të diskutuar mundësitë dhe sfidat që i presin të rinjtë gjatë kalimit nga jeta universitare në atë profesionale.

Tema e këtij edicioni është “Përtej CV-së: Ndërto të ardhmen tënde, siguro karrierën tënde”, ndërsa aktiviteti do të zgjasë tri ditë. Në hapje të shkollës, profesori në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut, Nikos Panagiotou, theksoi rëndësinë e përgatitjes së të rinjve për hapat e ardhshëm profesionalë.

Panagiotou: Të rinjtë të fitojnë aftësitë e nevojshme për hapat e ardhshëm në karrierë

“Si profesor edhe në Universitetin ‘Aristoteli’, i cili është partner zbatues së bashku me Institutin Francez të Administratës Publike, në emrin tim dhe të gjithë ekipit tonë, dëshiroj t’ju uroj mirëseardhje në këtë shkollë treditore, e cila është e akredituar nga Universiteti ‘Aristoteli’ dhe nga INSP. Synimi ynë është që të prezantojmë dhe të diskutojmë sfidat kryesore me të cilat përballen të rinjtë, në mënyrë që ata të pajisen me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për t’u përgatitur sa më mirë për hapat e ardhshëm profesionalë”, tha Panagiotou.

Ndërkaq, ambasadorja greke Katerina Theodosiadou u shpreh e bindur se pjesëmarrja në këtë shkollë do t’u ndihmojë studentëve të përgatiten për ndryshimet në tregun e punës.

Theodosiadou: Shkolla Vjeshtore e BE-së, përgatitje për karrierën e studentëve

“Jam e nderuar që po u drejtohem studentëve këtu. Pasionet tuaja do t’ju udhëheqin, ndërsa përpjekjet tuaja do t’ju ndihmojnë t’i arrini qëllimet. Jam e bindur se pjesëmarrja juaj në Shkollën Vjeshtore të BE-së 2026 do t’ju ofrojë aftësi, njohuri dhe kuptim më të mirë të ndryshimeve në vendet e punës, në të cilat do të zhvillohen karrierat tuaja”, tha ajo.

Në anën tjetër, profesoresha Remzie Shahini Hoxhaj vlerësoi se kjo shkollë paraqet një mundësi të rëndësishme për studentët e Universitetit të Prishtinës, të cilët mund të përfitojnë njohuri nga profesorë të universiteteve të ndryshme ndërkombëtare.

Shahini-Hoxhaj: Shkolla Vjeshtore i përgatit studentët për studime jashtë vendit

“Jam shumë e lumtur që po e organizojmë këtë shkollë vjeshtore për herë të dytë në kuadër të bashkëpunimit tonë të përbashkët. Megjithatë, mendoj se kjo shkollë dhe këto lloj trajnimesh janë shumë më të hershme sesa vetë bashkëpunimi ynë. Mendoj se kjo është një mundësi shumë e mirë për studentët e Universitetit të Prishtinës që të fitojnë njohuri drejtpërdrejt nga profesorët, jo vetëm nga Universiteti ‘Aristoteli’ në Selanik, por edhe nga universitete të tjera në mbarë botën. Kjo do të jetë gjithashtu një lloj përgatitjeje për ju që tashmë jeni studentë dhe keni fituar bursën e YCS-së, por edhe për ata që synojnë të vazhdojnë studimet jashtë vendit”, u shpreh Shahini-Hoxhaj.

Për sfidat e kalimit nga universiteti në tregun e punës foli edhe ish-përfituesja e bursave të programit Young Cell Scheme, Mrika Berisha, e cila theksoi se diploma dhe CV-ja janë vetëm hapat e parë drejt ndërtimit të një karriere.

Berisha: Diploma është vetëm hapi i parë drejt ndërtimit të karrierës

“Mendoj se periudha në të cilën ndodheni tani do të bëhet edhe më sfiduese, sepse kalimi nga universiteti në tregun e punës dhe fillimi i karrierës mund të shoqërohen me shumë pasiguri, por edhe me emocione pozitive. Kur isha studente, mendoja se ndërtimi i një karriere nënkuptonte plotësimin e disa pikave në një listë, si për shembull marrja e diplomës së duhur, kryerja e praktikave të duhura profesionale dhe përgatitja e CV-së, dhe pastaj gjithçka do të përfundonte aty dhe do të arrija atë që dëshiroja. Por, të gjitha këto ju ndihmojnë vetëm ta kaloni pragun e parë. Ajo që vjen më pas është një listë tjetër kërkesash, që përfshin mënyrën se si i zgjidhni problemet, si i përballoni sfidat dhe si mësoni të komunikoni”, tha Berisha.

Ndërsa, edhe përfituesja tjetër e programit YCS, Lirikë Kamberi, ndau përvojën e saj lidhur me mundësitë për vazhdimin e studimeve dhe specializimin profesional.

Kamberi: Specializimi dhe studimet master janë hapa të rëndësishëm për karrierën

“Kur rriteni, duhet të orientoheni drejt specializimit dhe pikërisht këtë ma mundësoi programi Young Cell Scheme. Unë pata mundësinë të vazhdoja studimet master, por edhe vetë vendimi për të vazhduar master është një çështje në vete, sepse mendoni: A është më mirë ta përfundoj masterin këtu? A është më mirë të shkoj jashtë vendit? A është i domosdoshëm masteri në radhë të parë? Por, dua të them se çdo mundësi që e shfrytëzoni tani, kur keni më shumë kohë dhe energji, do të shpërblehet në të ardhmen tuaj. Prandaj, shfrytëzojeni këtë mundësi për të menduar se çfarë dëshironi të bëni, ku e shihni veten në të ardhmen dhe ndërmerrni hapat drejt këtij synimi”, tha Kamberi.

Shkolla Vjeshtore e BE-së organizohet nga programi “Young Cell Scheme”, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe ish-pjesëmarrësit e programit. Ajo synon zhvillimin e aftësive profesionale të studentëve, përfshirë përgatitjen e CV-së, krijimin e profilit në LinkedIn, përgatitjen për intervista pune dhe kuptimin e ndikimit të inteligjencës artificiale në proceset e rekrutimit. /KosovaPress/

Read Previous

​Shiroka – Pula me mesazh për NATO-n: Synimi ynë, ushtarët e Kosovës krah për krah me aleatët

Read Next

Dita Ndërkombëtare për Tolerancë