Declan ​Rice drejt rinovimit të kontratës me Arsenalin, mund të bëhet njëri prej futbollistëve më të paguar në klub

Declan Rice është pranë nënshkrimit të një kontrate të re me Arsenalin, pasi bisedimet mes palëve për vazhdimin e bashkëpunimit kanë avancuar ndjeshëm.

Sipas raportimeve të mediave angleze dhe gazetarit të njohur të transferimeve, Fabrizio Romano, negociatat tashmë janë në fazë të avancuar, ndërsa palët janë duke diskutuar detajet e fundit të marrëveshjes.

Raportohet se mesfushori anglez mund të bëhet njëri prej futbollistëve më të paguar të Arsenalit, duke u renditur në të njëjtin nivel me Bukayo Sakan.

Vetë Rice ka dhënë sinjale pozitive për të ardhmen e tij në “Emirates”, duke deklaruar se shpreson që kontrata e re të konkretizohet së shpejti.

“Një kontratë e re shpresojmë se është në horizont së shpejti. Jam jashtëzakonisht me fat që jam në një klub si Arsenali, ku trajneri im, Mikel Arteta, dhe bashkëlojtarët investojnë shumë energji tek unë”, ka deklaruar Rice.

Kontrata aktuale e 27-vjeçarit me Arsenalin është e vlefshme deri në vitin 2028, ndërsa sipas raportimeve, klubi nuk është duke nxituar për ta bërë zyrtar rinovimin, pasi as lojtari nuk ka shprehur dëshirë për t’u larguar.

Rice është një nga lojtarët kyç të skuadrës së Mikel Artetës, ndërsa në këtë periudhë ka regjistruar 22 gola dhe 36 asistime me fanellën e “Topçinjve”.

Ndërkohë, Arsenali po punon edhe për të ardhmen e disa futbollistëve të tjerë, ku në mesin e prioriteteve për rinovim përmenden Martin Odegaard dhe Jurrien Timber. /KosovaPress/

Read Previous

Von der Leyen: Vendet e Ballkanit Perëndimor po bëjnë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE

Read Next

Sondazhi i KDI-së: Mbi 50% e qytetarëve nuk besojnë se mund t’i realizojnë të drejtat në gjykata