Hartimi i strategjisë për mbështetjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u dënuan në shkallë të parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë, është duke vazhduar në kuadër të grupit punues të përbërë nga përfaqësues institucionalë dhe të partive politike. Ndonëse anëtarët e këtij grupi kanë konfirmuar se janë ndërmarrë hapa konkretë dhe se ekziston koordinim ndërmjet palëve, përmbajtja e strategjisë dhe veprimet e ndërmarra po mbahen konfidenciale.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila është pjesë e Këshillit Strategjik, thotë për KosovaPress se anëtarët janë pajtuar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet, duke nënshkruar edhe një deklaratë për këtë çështje.
Çitaku ka vlerësuar se ka koordinim të mirë dhe seriozitet nga të gjitha palët e përfshira, ndërsa ka theksuar se puna e grupit duhet të vlerësohet përmes veprimeve dhe jo deklaratave publike.
“Si anëtarë të Këshillit Strategjik, jemi dakorduar për konfidencialitet. Kemi nënshkruar një deklaratë, një betim. Grupi nuk do të ishte edhe aq strategjik sikur t’i flisnim të gjithë hapat që kemi marrë. Ka një koordinim të mirë dhe një seriozitet nga të gjitha palët e përfshira dhe po besoj se këtij grupi duhet t’i flasin puna dhe veprat, e jo deklaratat”, tha ajo.
Edhe sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, ka konfirmuar se partitë politike kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në kuadër të këtij procesi, por pa zbuluar përmbajtjen e tyre.
Ai ka theksuar rëndësinë e funksionalizimit të grupit dhe bashkëpunimit me ekipet mbrojtëse, në mënyrë që të sigurohen kapacitetet logjistike dhe financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
“Uroj që ata të jenë funksionalë dhe të bashkëpunojnë me ekipet e mbrojtjes dhe të sigurojnë të gjitha kapacitetet logjistike dhe financiare, si dhe gjithçka tjetër që duhet për të pasur verdiktin e dëshiruar nga populli. Ata janë takuar dhe kanë thënë edhe vetë se kanë ndërmarrë disa veprime. Po flas mbi bazën e partive politike, të cilat kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe të domosdoshme, të cilat nuk mund t’i ndaj me publikun”, shtoi ai.
Ndërkaq, ish-ambasadori Sylë Ukshini vlerëson se strategjia duhet të ketë fokus të veçantë në diplomaci, përkatësisht në lobimin në kryeqendrat evropiane dhe ngritjen e çështjeve që lidhen me funksionimin e Gjykatës Speciale.
“Strategjia nuk duhet të bëhet shumë publike. Kanë folur disa protagonistë që janë pjesë e grupit punues dhe përshtypjet e para janë që po punohet seriozisht. Është një lajm i mirë, sepse është në interesin nacional të Kosovës. Pa dyshim që ekipet mbrojtëse e bëjnë pjesën juridike, ndërkaq ky grup duhet ta bëjë pjesën diplomatike, për të lobuar në kryeqendrat evropiane. T’i bëjë publike gjetjet ku ka bërë shkelje Gjykata Speciale. Në këtë këndvështrim, ndoshta nuk do të vonohet as emërimi final i ambasadorit amerikan, që të kemi një zë të Uashingtonit në Prishtinë. T’u transmetohet edhe amerikanëve se Gjykata Speciale ka devijuar nga linja për të cilën është formuar”, tha ai.
Grupi punues për hartimin e strategjisë për ish-krerët e UÇK-së kryesohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Ky grup deri tani ka mbajtur dy takime.
Në anën tjetër, një zhvillim tjetër që lidhet me Dhomat e Specializuara është edhe procedura parlamentare për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit që rregullon funksionimin e tyre.
Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar këtë ligj më 6 tetor, por presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu atë për rishqyrtim më 22 tetor, pas kërkesës së PDK-së.
Megjithatë, në seancën e 12 dhe 13 nëntorit u përfshi në rend të ditës, por për shkak të mungesës së kuorumit nuk u hodh fare në votim. /KosovaPress/