KFOR-i ka paralajmëruar prani të shtuar të personelit ushtarak dhe automjeteve në zonën e Kampit Vrella gjatë ditëve në vijim.
Sipas njoftimit të policisë, kjo lidhet me zhvillimin e ushtrimit të planifikuar “Golden Sabre”, në të cilin do të marrin pjesë edhe Policia e Kosovës, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Në ushtrim do të marrin pjesë gjithashtu Policia e Kosovës (PK), Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë, si dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ushtrimi synon avancimin e koordinimit, bashkëpunimit dhe ndërveprueshmërisë ndërmjet institucioneve pjesëmarrëse, me qëllim forcimin e aftësive të tyre për të vepruar së bashku në mënyrë efektive. /KosovaPress/