Trump ende pa pasardhës të qartë, sondazhi nxjerr në pah emrat që synojnë Shtëpinë e Bardhë

Republikanët JD Vance dhe Marco Rubio, si dhe demokratët Jon Ossoff dhe Pete Buttigieg, janë katër emrat që po tërheqin vëmendjen e votuesve amerikanë si kandidatë të mundshëm për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Sipas sondazhit të fundit të Reuters/Ipsos, rreth 45 për qind e votuesve republikanë të anketuar e konsiderojnë Rubion një kandidat “të shkëlqyer” për president, ndërsa 43 për qind kanë të njëjtin vlerësim për Vance-in.

Në kampin demokrat, Ossoff dhe Buttigieg kanë marrë vlerësim të njëjtë, me nga 29 për qind të votuesve që i konsiderojnë kandidatë të shkëlqyer.

Sondazhi përfshiu 1 mijë e 705 të rritur në të gjithë Shtetet e Bashkuara, përfshirë rreth 500 votues të regjistruar nga secila parti. Marzhi i gabimit për votuesit republikanë dhe demokratë është pesë pikë përqindjeje.

Megjithëse asnjëri prej tyre nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën, lëvizjet e hershme politike kanë nisur të ndikojnë në perceptimin e votuesve. Proceset partiake për përzgjedhjen e kandidatëve për vitin 2028 pritet të zhvillohen pas më shumë se një viti.

Në mesin e republikanëve, gara e mundshme mes Rubios dhe Vance-it zhvillohet në një kohë kur partia është e ndarë për drejtimin që duhet të ndjekë pas presidencës së Donald Trumpit. Disa votues preferojnë një kandidat që vazhdon politikat e tij, ndërsa të tjerë kërkojnë një distancim nga presidenti aktual.

Një prej votuesve republikanë të intervistuar nga Reuters, Barbara Rezner nga Florida, ka shprehur preferencën për Rubion, duke e konsideruar Vance-in tepër të djathtë dhe shumë të afërt me Trumpin.

Ndërkohë, guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, është një tjetër emër që përmendet në mesin e kandidatëve të mundshëm republikanë. Rreth 32 për qind e votuesve të partisë e vlerësojnë atë si një zgjedhje të shkëlqyer.

Në kampin demokrat, Ossoff ka fituar vëmendje për kritikat e drejtpërdrejta ndaj Trumpit, ndërsa Buttigieg, i cili kishte garuar edhe në zgjedhjet paraprake të vitit 2020, gëzon njohje më të madhe në nivel kombëtar.

Sondazhi tregon gjithashtu se ish-zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, marrin nga 23 për qind të vlerësimeve si kandidatë të shkëlqyer. Ndërsa përfaqësuesja Alexandria Ocasio-Cortez ka marrë 15 për qind.

Megjithatë, strategët politikë paralajmërojnë se është ende herët për të nxjerrë përfundime për garën e vitit 2028, pasi shumë kandidatë të mundshëm nuk kanë vendosur ende nëse do të hyjnë në garë dhe preferencat e votuesve mund të ndryshojnë ndjeshëm.

Read Previous

Trump “e tërheq” Vance nga negociatat me Iranin

Read Next

Shërbimi norvegjez i sigurisë ngre alarmin për operacione të mundshme sabotimi ruse