Shpenzimet globale për IA-në pritet të tejkalojnë 4 trilionë dollarë vitin e ardhshëm
Forcat ukrainase kanë ndërmarrë një sulm masiv me dronë ndaj disa objektivave në territorin rus, duke goditur një nga rafineritë më të mëdha të naftës në vend, në qytetin e Volgogradit, si dhe një objekt prodhimi në Rostov-mbi-Don.
Sulmi ndodhi gjatë natës, vetëm një ditë pas bisedimeve trepalëshe për paqen në Abu Dabi. Sipas raportimit të The Kyiv Independent, Ukraina po vazhdon fushatën e saj kundër infrastrukturës që furnizon ushtrinë ruse dhe siguron të ardhura për Moskën nga sektori energjetik.
Kanalet ukrainase të monitorimit “Exilenova+” dhe “Supernova+” raportuan për shpërthime dhe zjarr në rafinerinë “Lukoil-Volgogradneftepererabotka”, një prej objekteve më të mëdha të përpunimit të naftës në Rusi, me kapacitet vjetor prej 15 milionë tonësh naftë bruto.
Pamjet e publikuara nga dëshmitarët tregojnë flakë të mëdha që ndriçojnë qiellin e natës mbi rafineri, ndërsa dëgjohen edhe sistemet ruse të mbrojtjes ajrore.
Guvernatori i rajonit të Volgogradit, Andrey Bocharov, konfirmoi se qyteti ishte përballur me një sulm “masiv”, duke bërë të ditur se zjarre kishin shpërthyer në zonën industriale jugore.
Ndërkohë, edhe qyteti Rostov-mbi-Don është vënë në shënjestër të dronëve ukrainas. Guvernatori i rajonit të Rostovit, Yuri Slyusar, njoftoi se sulmet shkaktuan zjarre në një objekt prodhimi dhe në një magazinë. Mbetjet e dronëve të rrëzuar dëmtuan gjithashtu një ndërtesë banimi.
Rafineria e Volgogradit, në pronësi të kompanisë “Lukoil”, ndodhet rreth 400 kilometra larg kufirit me Ukrainën. Ky objekt ishte goditur edhe më parë nga forcat ukrainase, më 2 tetor.
Sulmet ndaj infrastrukturës ruse po vazhdojnë edhe në rajone të tjera. Forcat e Operacioneve Speciale të Ukrainës konfirmuan se më 11 nëntor kishin goditur rafinerinë e naftës në Omsk, që konsiderohet objekti më i madh i këtij lloji në Rusi.
Ndërkohë, gjatë natës së 13 nëntorit, dhjetëra dronë ukrainas vunë në shënjestër edhe Moskën, duke shkaktuar ndërprerje të fluturimeve në disa aeroporte të mëdha të rajonit, sipas zyrtarëve rusë.