Shpenzimet globale për IA-në pritet të tejkalojnë 4 trilionë dollarë vitin e ardhshëm
Shpenzimet globale për inteligjencën artificiale (IA) pritet të rriten me 47,5 për qind, duke arritur në 4,05 trilionë dollarë në vitin 2027 ndërsa infrastruktura do të përbëjë gati tri të pestat e totalit, njoftoi sot kompania kërkimore dhe konsulente “Gartner”, transmeton Anadolu.
Sipas parashikimeve, shpenzimet totale për IA-në do të rriten nga rreth 2,75 trilionë dollarë në vitin 2026 në 4,05 trilionë dollarë në vitin 2027 ndërsa organizatat zgjerojnë përdorimin e kësaj teknologjie dhe ofruesit e teknologjisë investojnë në rritjen e kapaciteteve kompjuterike.
Drejtuesi i kërkimeve në “Gartner”, John-David Lovelock tha se rritja më e shpejtë se sa ishte parashikuar e kërkesave të përdoruesve po shton nevojën për infrastrukturë që mundëson funksionimin e aplikacioneve të IA-së dhe trajnimin e modeleve gjithnjë e më kërkuese për fuqi kompjuterike.
Sipas njoftimit të kompanisë të publikuar në Barcelonë, shpenzimet për infrastrukturën e IA-së pritet të rriten me 53 për qind, duke arritur në rreth 2,4 trilionë dollarë vitin e ardhshëm. Kjo do të përfaqësojë 59 për qind të shpenzimeve globale për inteligjencën artificiale.
Shpenzimet për serverët e optimizuar për IA-në, segmenti më i madh i infrastrukturës, parashikohet të rriten ndjeshëm, nga 527,6 miliardë dollarë këtë vit në 957,2 miliardë dollarë në vitin 2027.
“Gartner” ia atribuoi këtë rritje zgjerimit të vazhdueshëm të infrastrukturës nga ofruesit e mëdhenj të shërbimeve kompjuterike në re dhe kompanitë e specializuara në shërbimet kompjuterike për IA-në si dhe rritjes së çmimeve të serverëve për shkak të kostove të memories.
Shpenzimet për shërbimet e IA-së pritet të rriten me 29,5 për qind, duke arritur në 746 miliardë dollarë, ndërsa ato për programet kompjuterike të IA-së parashikohet të rriten me 42 për qind, në 649 miliardë dollarë. “Lovelock” tha se ofruesit e shërbimeve po ndihmojnë organizatat të zgjerojnë nismat e tyre në fushën e IA-së përmes strategjisë, përgatitjes së të dhënave, integrimit dhe zbatimit të teknologjisë.
Ndërkohë, kompanitë po rrisin buxhetet për programet kompjuterike, pasi ofruesit po integrojnë funksione të inteligjencës artificiale në produktet ekzistuese dhe po prezantojnë platforma për administrimin dhe mbikëqyrjen e përdorimit të saj.
Shpenzimet për sigurinë kibernetike të lidhur me IA-në parashikohet të arrijnë në 86 miliardë dollarë vitin e ardhshëm, nga 51 miliardë dollarë në vitin 2026 ndërsa shpenzimet për agjentët dhe asistentët e IA-së pritet të rriten më shumë se dyfish, nga 30 miliardë në 67 miliardë dollarë.
Ndërkohë, shpenzimet për modelet e IA-së gjeneruese parashikohet të rriten me 82 për qind, duke arritur në 51 miliardë dollarë, të nxitura nga kërkesa për agjentë autonomë të IA-së, aplikacione që kombinojnë lloje të ndryshme përmbajtjesh dhe zgjidhje të specializuara për sektorë të caktuar.
Megjithëse, shpenzimet për modelet e specializuara dhe ato të përshtatura për fusha të veçanta parashikohet të rriten me 99 për qind, modelet bazë pritet të ruajnë pjesën më të madhe të shpenzimeve për modelet e IA-së gjeneruese, me 81 për qind në vitin 2027. /AnadoluAgency/