Trump: SHBA mund të jetë pushtuese në Iran

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka sugjeruar se Washingtoni “mund të jetë pushtues” në Iran, duke pretenduar se kontrollon Ngushticën e Hormuzit dhe po nxjerr sasi rekord të naftës nga kjo rrugë ujore strategjike.

Duke folur para gazetarëve pas një fjalimi në një objekt të NASA-s në shtetin e Floridës, Trump e krahasoi luftën e SHBA-së me Iranin me konfliktin Rusi-Ukrainë, për të cilin pretendoi se gjatë muajit tetor kanë humbur jetën 25.000 persona.

“Kjo quhet luftë”, tha Trump, duke iu referuar luftimeve ndërmjet Moskës dhe Kievit.

Ai argumentoi se lufta me Iranin, e cila tashmë ka hyrë në muajin e nëntë, nuk mund të quhet luftë, pasi sipas tij, prej disa muajsh “askush nuk është plagosur”.

“E gjithë ajo që jemi ne, ndoshta, është një forcë pushtuese. (Ne) mund të jemi pushtues”, shtoi ai.

Trump përsëriti pretendimin se SHBA-ja kontrollon Ngushticën e Hormuzit, një korridor jetik për furnizimin global me energji.

“Ne e kontrollojmë Ngushticën e Hormuzit. Tani po nxjerrim më shumë naftë se kurrë më parë në historinë e Ngushticës së Hormuzit”, tha ai.

I pyetur nëse forcat amerikane kishin kryer sulmet e raportuara pranë ishullit iranian Qeshm të premten, Trump fillimisht refuzoi të komentonte, por pranoi se ishin kryer operacione të kufizuara ushtarake.

“Nuk dua të flas për këtë. Ne kryejmë sulme të vogla”, tha ai.

Ai shtoi se forcat iraniane kishin ndërtuar një instalim kundërajror, të cilin SHBA-ja e kishte shkatërruar brenda pak minutash.

Deklaratat vijnë disa ditë pasi Trump konfirmoi sulmet amerikane ndaj një objekti të mbrojtjes ajrore iraniane në ishullin Qeshm, duke e përshkruar operacionin si një sulm të vogël dhe jo si rikthim në një luftë në shkallë të plotë.

Irani ka hedhur poshtë pretendimet e SHBA-së për kontrollin e ngushticës, duke këmbëngulur se Teherani ruan kontrollin strategjik mbi këtë rrugë ujore dhe se nuk do ta rihapë atë derisa të plotësohen kushtet e tij. /ATSH – AA/

Read Previous

Wolff thumbon Ferrarin: Antonellin do ta kishin “parkuar” njësoj si Bearmanin

Read Next

“Financial Times”: Kërcënime me bomba ndaj 35 fluturimeve në Evropë, dyshimet përfshijnë Rusinë