Lutfi Dalipi refuzon Zvicrën, sensacioni 20-vjeçar mes Kosovës dhe Shqipërisë
Shkalla e varfërisë në Gjermani është rritur me 45 për qind që nga viti 1992 ndërsa pabarazia e të ardhurave ndodhet pranë nivelit më të lartë të regjistruar në tre dekadat e fundit, tregon një raport i publikuar sot nga Instituti për Kërkime Ekonomike dhe Sociale (WSI), transmeton Anadolu.
Përqindja e familjeve që jetojnë në varfëri është rritur nga 11,9 për qind në vitin 1992 në 17,3 për qind në vitin 2024, bëri të ditur instituti. Studimi e përkufizon varfërinë si të ardhura të disponueshme nën 60 për qind të medianës kombëtare. Për një person që jeton vetëm, kjo nënkupton të ardhura neto vjetore më të ulëta se 15.673 euro.
Ndërkohë, përqindja e familjeve me të ardhura shumë të larta, që fitojnë më shumë se trefishi i medianës, është rritur nga 1,1 në 1,9 për qind. Për një person që jeton vetëm, kjo kategori përfshin ata me të ardhura mbi 78.366 euro në vit.
Grupi më i gjerë i familjeve me të ardhura të larta, që fitojnë më shumë se dyfishi i medianës, përbënte 7 për qind të familjeve në vitin 2024, krahasuar me 5,7 për qind në vitin 1992. Raporti e lidhi thellimin e pabarazisë, pjesërisht, me rënien e efektivitetit të taksave dhe transfertave sociale në rishpërndarjen e të ardhurave gjatë dekadës së fundit.
Ai vuri në dukje rritjen e punësimit me orar të pjesshëm, që shpesh lidhet me mungesën e mundësive për kujdesin ndaj fëmijëve.
Drejtoresha e WSI-së, Bettina Kohlrausch paralajmëroi se vetëm punësimi nuk po garanton që të gjithë të përfitojnë nga rritja ekonomike. “Ne kemi vërejtur rritje dhe thellim të varfërisë si dhe shtim të pabarazisë së të ardhurave, madje edhe gjatë periudhave me papunësi të ulët”, deklaroi ajo.
Kohlrausch tha se shkurtimet e ndihmave sociale, të cilat aktualisht janë në diskutim, do ta thellonin më tej pabarazinë. /Anadolu Agency/