Kosova humb 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, Zulfaj tregon arsyet

Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga fondet e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, pasi nuk ka arritur të përmbushë me kohë gjashtë nga 13 hapat e reformave të përcaktuara për afatin deri në qershor 2026.

Këtë e ka bërë të ditur kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian.

Sipas tij, nga 13 hapat e paraparë në periudhën shtesë deri në qershor, institucionet kanë arritur t’i realizojnë shtatë, ndërsa gjashtë të tjerë kanë mbetur pa u përmbushur brenda afatit.

Zulfaj ka shpjeguar se mosrealizimi i reformave lidhet kryesisht me bllokadën politike dhe pamundësinë për të miratuar projektligjet në Kuvend, i cili në atë periudhë ishte i shpërndarë.

“Llogaritet mbi 40 milionë euro, ose më saktë 43.8 milionë euro, të cilat kanë humbur në afatin e qershorit”, ka deklaruar Zulfaj.

Ai ka bërë të ditur se vlera e përgjithshme e Planit të Rritjes për Kosovën është 882.6 milionë euro, ku dy të tretat e shumës janë kredi të kushtëzuara me realizimin e 111 hapave të reformave, të cilat duhet të përmbushen deri në fund të gushtit të vitit 2027.

Sa i përket kërkesës së parë për pagesë, Zulfaj ka thënë se Kosova e ka dorëzuar atë më 15 korrik, duke raportuar për 20 hapa të zbatuar, në vlerë prej 153.4 milionë eurosh.

Megjithatë, shuma përfundimtare që do të përfitojë Kosova do të varet nga vlerësimi i Komisionit Evropian.

Ndërkohë, institucionet përballen me një afat tjetër të rëndësishëm. Deri më 31 dhjetor të këtij viti duhet të përmbushen edhe 22 hapa reformash, me vlerë prej 131.5 milionë eurosh.

“Pra, kanë mbetur edhe 59 ditë, 10 akte duhet të kalojnë në këtë Kuvend”, ka theksuar Zulfaj gjatë raportimit.

Ai ka bërë të ditur se një pjesë e projektligjeve tashmë janë në Kuvend, ndërsa të tjerat pritet të procedohen nga Qeveria. Në mesin e ligjeve që synohet të procedohen deri në fund të nëntorit janë projektligji për inovacion, ai për prokurimin publik dhe projektligji për partneritetin publiko-privat.

Zulfaj ka përmendur gjithashtu si reforma që duhet të rikthehen në proces ligjet për energjinë dhe falimentimin, pakon ligjore për drejtësinë dhe strategjinë kundër krimit të organizuar.

Ai ka paralajmëruar se procesi i miratimit të ligjeve mund të ndikohet edhe nga koha që nevojitet për konsultimet me Komisionin Evropian.

“Bashkimi Evropian i kërkon diku rreth 90 ditë kohë për t’i kthyer këto komente dhe kjo pastaj shkakton edhe vonesa të tjera që vonojnë ligjet”, ka deklaruar ai.

Përmbushja e 22 hapave deri në fund të vitit mbetet një prej afateve kryesore për Kosovën në kuadër të përfitimit nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. /RTKlive

Read Previous

Shtatë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë, gjashtë gra viktima

Read Next

Kosova përballë testit të ekonomisë së qëndrueshme