Gjykata ia tërheq vërejtjen Trumpit: Mos i kërcëno njerëzit që organizojnë zgjedhjet

Një gjykatëse federale në SHBA ka urdhëruar administratën e presidentit Donald Trump të ndalojë kërcënimet me ndjekje penale ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë të zgjedhjeve, të cilët nuk u binden kërkesave të administratës lidhur me votuesit e dyshuar si joshtetas amerikanë.

Vendimi u mor të premten, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të mesmandshme në SHBA, të cilat do të përcaktojnë kontrollin mbi Kongresin amerikan.

Gjykatësja federale Trina Thompson vlerësoi se Departamenti i Drejtësisë kishte tejkaluar kompetencat e tij duke kërcënuar zyrtarët që nuk bashkëpunonin me nismat e administratës Trump për mbikëqyrjen e zgjedhjeve.

Administrata Trump kishte kërkuar nga shtetet të dorëzonin të dhënat e regjistrimit të votuesve, duke argumentuar se masat më të rrepta janë të nevojshme për të garantuar sigurinë dhe besueshmërinë e zgjedhjeve, shkruan nbcnews.

Megjithatë, gjykatësja urdhëroi administratën të mos kërkojë nga zyrtarët lokalë largimin e votuesve nga listat e regjistrimit, refuzimin e fletëvotimeve të personave të caktuar apo ndarjen e fletëvotimeve bazuar në listat e administratës për votuesit e dyshuar si joshtetas.

Në vendimin e saj, Thompson theksoi se interesi publik kërkon që zyrtarët dhe punonjësit e zgjedhjeve të mund ta kryejnë punën e tyre në përputhje me ligjet federale dhe procedurat zgjedhore.

Vendimi erdhi pas një padie të ngritur nga sindikatat e punonjësve të zgjedhjeve dhe disa organizata të tjera. Kritikët, përfshirë ekspertë politikë dhe zyrtarë demokratë e republikanë, i kanë cilësuar veprimet e administratës si ndërhyrje të tepruar federale.

Departamenti i Drejtësisë nuk ka komentuar menjëherë vendimin.

Trump më parë ka bërë pretendime të pavërteta lidhur me zgjedhjet, përfshirë refuzimin për të pranuar humbjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. /Telegrafi/

Read Previous

Antonelli drejt kontratës së re, pritet të bëhet një nga pilotët më të paguar në F1

Read Next

Një grua kërkon ndihmë nga Policia në Pejë, raporton se ish-burri po e frikëson