Autoriteti Norvegjez i Sigurisë Kombëtare (NSM) e ka ngritur nivelin e rrezikut kibernetik në vend në “të lartë”, niveli i dytë më i lartë në shkallën e tij, duke iu referuar përkeqësimit të situatës së sigurisë dhe zhvillimeve të muajve të fundit, transmeton Anadolu.
Duke njoftuar vendimin në një konferencë për media, drejtori i NSM-së, Arne Christian Haugstoyl, u bëri thirrje bizneseve norvegjeze që të forcojnë mbrojtjen e tyre digjitale dhe të trajtojnë menjëherë dobësitë e njohura të softuerëve.
Autoriteti paralajmëroi se zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale po u mundëson aktorëve kërcënues që të identifikojnë dhe shfrytëzojnë dobësitë e sigurisë në mënyrë shumë më efikase.
“Prandaj, bizneset kanë orë, jo ditë apo javë, për të mbyllur dobësitë e njohura”, tha Haugstoyl.
Në një njoftim për media, NSM-ja u bëri thirrje kompanive norvegjeze që të zbatojnë pa vonesë masa parandaluese të sigurisë dhe publikoi një listë me 21 veprime të rekomanduara që zbatohen për bizneset në të gjithë vendin.
Ministrja e Drejtësisë dhe e Përgatitjes për Emergjenca, Astri Aas-Hansen u bëri thirrje kompanive që të vlerësojnë sigurinë e sistemeve të tyre të teknologjisë së informacionit (TI) dhe t’i trajtojnë shpejt dobësitë, raportoi transmetuesi NRK.
Sipas Haugstoyl, operacionet e suksesshme kibernetike që kanë në shënjestër bizneset norvegjeze janë trefishuar gjatë vitit të fundit ndërsa disa incidente kanë sjellë pasoja të rënda.
Një rast i bërë publik përfshinte komunën e Lorenskogut, ku një sasi e madhe të dhënash u vodh gjatë një sulmi kibernetik. Informacionet e vjedhura më pas u shitën në rrjetin e errët.
Vlerësimi për rritjen e nivelit të rrezikut pasqyron shqetësimet në rritje lidhur me aftësinë e aktorëve kërcënues kibernetikë për të shfrytëzuar dobësitë digjitale, veçanërisht pasi inteligjenca artificiale po ua rrit kapacitetet. /Anadolu Agency/