Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar, siç ka thënë, përpjekjet për përfitime politike nga tragjedia e Arlindës, duke kërkuar që të mos ndërlidhen individë me rastin pa prova.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Tahiri iu drejtua deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i akuzuar se po e shfrytëzojnë tragjedinë për qëllime politike, duke iu referuar publikimit të një fotografie të deputetit Daut Haradinaj me personin e dyshuar për këtë vrasje.
“Është e ulët që në çfarëdo rrethane, pa pasë evidencë, secili prej nesh dhe secili prej jush të mundohet të përfitojë politikisht nga një tragjedi, nga një trup që ende nuk ka qenë në varr”, tha Tahiri.
Ai kritikoi gjithashtu përmendjen e fotografive dhe takimeve për të ndërlidhur persona me figura politike, duke thënë se një gjë e tillë mund të shkaktojë dëm të madh.
“Lërini abuzimet. Mos e helmoni”, deklaroi Tahiri, duke shtuar se tragjedia kërkon përgjegjësi institucionale dhe hetim penal.
Ai theksoi se edhe zyrtarë të AAK-së në Pejë dhe në Dukagjin kanë qenë pranë familjes së Arlindës, duke kundërshtuar, siç tha, shfrytëzimin e rastit për të fituar vota. /RTKLive