​Zbulohet shkaku i kolapsit të Vincent Kompany

Trajneri i Bayern Munichut, Vincent Kompany, është liruar nga spitali pas gati një jave qëndrimi, ndërsa është zbuluar edhe diagnoza që shkaktoi kolapsin e tij gjatë një seance stërvitore.

Drejtori sportiv i klubit gjerman, Max Eberl, ka konfirmuar se 40-vjeçari vuan nga një irritim i cipave të trurit, gjendje e njohur në terminologjinë mjekësore si irritim meningeal.

Kompany ishte rrëzuar të premten e kaluar, teksa po ndiqte një stërvitje të ekipit të dytë të Bayernit, pas problemeve shëndetësore që kishte pasur edhe në ditët paraprake.

Sipas Eberlit, trajneri belg tani do të vazhdojë rikuperimin në shtëpi, ku do të ketë nevojë për pushim dhe trajtim me medikamente.

Megjithatë, ende nuk është caktuar një datë për rikthimin e tij në stolin e Bayernit. Vendimi do të merret pasi Kompany të marrë miratimin e mjekëve për t’iu rikthyer punës.

Në mungesë të tij, ndihmëstrajneri Aaron Danks ka marrë përgjegjësinë për drejtimin e skuadrës, e cila të shtunën pritet të përballet me Borussia Dortmundin në një nga ndeshjet më të rëndësishme të Bundesligës. /KosovaPress/

Read Previous

Rikthehet në operim njësia A3 e termocentralit Kosova A

Read Next

Ruben Amorim: Skuadra ishte pak e lodhur dhe pa shumë energji