“Do ta përshkallëzojmë protestën”, listohen kërkesat para Qeverisë, kërkohet shkarkimi i Gërvallës dhe Sveçlës

Aktivistja Liridona Sijarina nga “Kolektivi Feminist” ka listuar kërkesat ndaj institucioneve të drejtësisë dhe Qeverisë së Kosovës.Ajo ka thënë se për vrasjen e Arlinda Zekajt, do të vazhdojnë protestat dhe do të përshkallëzojnë.

“Këtij shteti kemi me iu kundërvu. Protestat e tona nuk kanë me u ndalë natë e ditë, kanë me u përshkallzu. Nuk mundemi me pritë që ky shtet me na qitë hi syve. Me na shpartallua e mos me mujt me i bo bashkë dy veta, kur duhet me e ngritë zërin për gra”, ka thënë Sijarina, shkruan Express.

“Ne ultimatumin e kemi dhanë, çka po presim sot është me i numëru kërkesat tona edhe me i dhënë përgjigje secilës kërkesë. Duam burgime, duam llogari, duam që trupat tonë të trajtohen me dinjitet”, ka shtuar ajo.

“Për ma pak se dy muaj, katër gra të kësaj republike janë vra. Nuk mjaftojnë e as nuk e dojmë asnjë deklaratë boshe e asnjë lojë partiake. Ajo se çfarë ka ndodhë pardje, është ofendim për krejt ne, e për Arlindën”, ka shtuar Sijarina.

“Unë po i përsëris kërkesat që i kemi thanë që sa vjet. Kemi kërkuar ndjekje penale për kryeprokuror, e kryeprokurore, zyrtar të QPS-së, për kryegjyqtarë e për gjyqtarë që e kanë çu Arlindën në varr”, ka thënë ajo tutje.

“Qeverisë, që i tha Arlindës, pas vrasjes, që s’ka ditë ku me lypë ndihmë, ne i themi që qat ministre edhe ministrin e Punëve të Brendshme duheni me i shkarku, ose kemi me ju shti me shkarku.”, ka potencuar aktivistja Sijarina.

Ajo ka paralajmëruar vazhdimësi të protestës para Qeverisë së Kosovës edhe gjatë natës./Express/

Read Previous

KGJK-ja mbulohet nga tymi i kuq