Çitaku kërkon llogaridhënie dhe dorëheqje pas vrasjes së Arlinda Zekajt
Kryeprokurori i Shtetit ka ndërmarrë veprime për të shqyrtuar trajtimin institucional të rasteve të raportuara nga Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor në Pejë.
Përmes një njoftimi, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se është autorizuar koordinatori nacional për rastet e dhunës në familje që të analizojë të gjitha veprimet e ndërmarra në trajtimin e rasteve ku viktimë ishte Zekaj.
Po ashtu, kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, i është kërkuar raport i detajuar me shkrim për mënyrën se si janë trajtuar rastet e të ndjerës.
Raporti duhet të përfshijë kronologjinë e rasteve, personat e raportuar, prokurorët përgjegjës, veprimet procedurale, vendimet e marra dhe arsyetimet përkatëse.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe vlerësimit të rrezikut dhe masave të ndërmarra për mbrojtjen e viktimës, komunikimit me Policinë e Kosovës dhe institucioneve të tjera, si dhe trajtimit të shkresës së Zekajt të datës 22 tetor 2026.
Në kuadër të këtyre veprimeve, Inspektoratit Policor të Kosovës i është kërkuar që të ndërmarrë veprimet përkatëse hetimore dhe verifikuese lidhur me të gjitha rastet e raportuara nga Zekaj në polici.
Sipas njoftimit, shqyrtimi do të përfshijë mënyrën e pranimit, evidentimit, vlerësimit dhe trajtimit të raportimeve të saj, si dhe veprimet e ndërmarra nga zyrtarët policorë.
Këto veprime synojnë të vlerësojnë ligjshmërinë e trajtimit të rasteve dhe të identifikojnë përgjegjësinë e mundshme individuale dhe institucionale.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se çështja do të trajtohet me seriozitetin dhe urgjencën e nevojshme, ndërsa pas analizimit të dokumentacionit dhe raporteve do të ndërmerren veprimet përkatëse.
“Në rast se konstatohen shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprime nga ana e zyrtarëve përgjegjës, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore dhe do të kërkohet përgjegjësi për secilën shkelje të evidentuar, pa asnjë tolerim ndaj përgjegjësisë institucionale apo individuale”, thuhet në njoftim.
Kryeprokurori ka ritheksuar se çdo pretendim për mosveprim ose trajtim të papërshtatshëm institucional duhet të shqyrtohet në mënyrë të plotë dhe objektive.
“Çdo pretendim për mosveprim apo trajtim të papërshtatshëm institucional duhet të shqyrtohet në mënyrë të plotë, objektive dhe profesionale, me qëllim të sqarimit të të gjitha rrethanave dhe përcaktimit të përgjegjësive eventuale”, thuhet më tej në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. /Telegrafi/