Haxhiu reagon pas vrasjes së Arlinda Zekajt, kërkon hetim të plotë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila u vra mbrëmë në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor, ku kishte raportuar dhunën në familje.

Haxhiu është shprehur e tronditur nga rasti, duke theksuar se rrethanat e vrasjes kërkojnë një hetim të plotë, i cili duhet të përfshijë edhe mënyrën se si institucionet i kanë trajtuar denoncimet e viktimës dhe çfarë masash janë ndërmarrë për mbrojtjen e saj.

“E tronditur thellësisht nga vrasja e Arlinda Zekajt mbrëmë në Vitomiricë të Pejës. Arlinda u vra pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor, ku kishte denoncuar dhunën në familje”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka bërë të ditur se tri ditë para vrasjes, Zekaj i ishte drejtuar Prokurorisë në Pejë me një mesazh paralajmërues për rrezikun me të cilin po përballej.

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar Zekaj në mesazhin drejtuar Prokurorisë, sipas reagimit të Haxhiut.

Kryetarja e Kuvendit ka theksuar se hetimi nuk duhet të kufizohet vetëm te rrethanat e vrasjes, por duhet të shqyrtojë edhe trajtimin e denoncimeve, vlerësimin e rrezikut dhe masat e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse.

“Duhet të sqarohet çdo veprim dhe mosveprim i mundshëm institucional dhe, aty ku vërtetohen shkelje, të përcaktohet përgjegjësia përkatëse”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka paralajmëruar se, në kuadër të përgjegjësive mbikëqyrëse të Kuvendit, do të kërkojë nga komisionet përkatëse parlamentare të shqyrtojnë funksionimin e mekanizmave për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe parandalimin e femicidit.

Sipas saj, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet vlerësimit të rrezikut dhe bashkërendimit ndërinstitucional, në mënyrë që mangësitë eventuale të identifikohen dhe të trajtohen para se të humben jetë të tjera.

Në fund të reagimit, Haxhiu u ka shprehur ngushëllime djalit të Arlinda Zekajt dhe familjarëve të saj.

“Djalit të Arlindës dhe të gjithë të afërmve të saj u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta”, ka përfunduar ajo. /RTKlive

Read Previous

Nagavci kërkon seancë të jashtëzakonshme pas vrasjes së Arlinda Zekës

Read Next

Kryeprokurori kërkon raport për rastet e Arlinda Zekajt, paralajmëron masa nëse konstatohen shkelje