Dita e 12-të e protestave në Shqipëri, studentët thërrasin tubim kombëtar para Kryeministrisë

Protestat studentore në Shqipëri kanë hyrë në ditën e 12-të, ndërsa për sot, 24 tetor, është paralajmëruar një tubim kombëtar në Tiranë. Studentëve pritet t’u bashkohen pedagogë, mjekë, përfaqësues të sindikatave dhe qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit.

Sipas Top Channel, tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 14:00, para Kryeministrisë, ku pritet të bashkohen grupet e studentëve nga Tirana dhe qytetet e tjera.

Në mbështetje të protestës janë deklaruar edhe përfaqësues të biznesit të vogël, ndërsa Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias ka njoftuar se do t’i bashkohet tubimit në solidaritet me studentët, të rinjtë dhe qytetarët.

Mobilizimi është shtrirë edhe jashtë kryeqytetit. Studentët që gjatë javës kanë protestuar në qytetet ku ndodhen universitetet e tyre pritet të udhëtojnë drejt Tiranës. Pjesëmarrje është paralajmëruar edhe nga shqiptarët e diasporës.

Pavarësisht thirrjeve të kryeministrit Edi Rama për dialog, protestuesit vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij.

Rama ka publikuar të shtunën në rrjetet sociale një video, ku para Kryeministrisë shihet një tavolinë me fletë mbi të cilat është shkruar fjala “dialog”.

Protestat nisën me kërkesa për përmirësimin e kushteve në arsim dhe kundërshtimin e korrupsionit, ndërsa më pas u zgjeruan me kërkesa politike.

Gjatë ditëve të protestave janë raportuar incidente, përfshirë dëmtime të institucioneve dhe bizneseve private, si dhe pretendime për përdorim të dhunës nga policia ndaj protestuesve.

Burimi: Top Channel / KosovaPress

Read Previous

​Dita Botërore e Informimit për Zhvillim

Read Next

Sonte ndryshon ora, akrepat kthehen një orë pas