Carragher shpërthen ndaj Fernandesit: Është turp të kritikosh Carrickun
Përfaqësuesja e Kosovës në kikboks është kthyer me dy medalje nga Kupa Botërore e mbajtur në Uzbekistan, ku Nart Kastrati fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa Art Dulaj u stolis me medaljen e bronztë.
Këto rezultate janë vlerësuar si sukses për kikboksin kosovar, duke pasur parasysh konkurrencën e madhe në këtë garë ndërkombëtare, ku morën pjesë edhe shtete aziatike.
Kryetari i Federatës së Kikboksit të Kosovës, Famitr Makolli, në një konferencë për media, tha se dy garuesit kanë përfaqësuar denjësisht shtetin dhe federatën, ndërsa theksoi se pjesëmarrja e shteteve të shumta e ka bërë garën edhe më sfiduese.
“Përfaqësuesja e Kosovës e kikboksit ka qenë me dy përfaqësues, me dy garues, Nart Kastrati dhe Art Dulaj, të cilët këta me paraqitjen e tyre na kanë nderuar edhe shtetin edhe Federatën e Kikboksit, ku jemi kthyer me dy medalje prej kësaj gare mjaft prestigjioze ku është konkurrenca shumë e madhe. Vlen të ceket që pjesëmarrëse ka qenë edhe Kina, ku dihet që të gjitha shtetet aziatike kanë qenë të pranishme në këtë garë, se për ne ka qenë befasi shumë e madhe se dihet që Uzbekistani nuk e ka njohur as shtetin tonë… Këta kanë pasur shumë konkurrencë të madhe dhe janë përkushtuar dhe e kanë dhënë maksimumin, kanë bërë, besoj që kanë dalur prej vetvetes për të arritur suksese për ta prezantuar sa më mirë shtetin e Kosovës”, theksoi Makolli.
Nart Kastrati, i cili u stolis me medaljen e argjendtë, tha se të dy garuesit ishin të përgatitur për këtë garë dhe se janë të kënaqur që janë kthyer me medalje në Kosovë. Ai u shpreh i bindur se në të ardhmen do të synojnë edhe suksesin më të madh.
“Niveli i garuesve atje ka qenë shumë i lartë, por ne kemi qenë shumë të përgatitur të dy garuesit. Edhe jemi shumë të gëzuar të dy që kemi sjellë medalje në shtetin tonë. Edhe besoj që do të munde të premtojmë që herën tjetër do ta sjellim kupën dhe do të punojmë shumë e më shumë për shtetin tonë, e sidomos në këto vende të cilat neve nuk na njohin fare”, u shpreh Kastrati.
Makolli theksoi se mbështetja institucionale për federatat sportive duhet të jetë më e madhe, duke thënë se mungesa e mjeteve financiare po ua vështirëson pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare. Ai kërkoi që institucionet t’i përmbushin obligimet e marra ndaj federatave përmes memorandumeve të nënshkruara.
“Besoj kjo për ne kikboksin sivjet ka qenë viti më i suksesshëm prej që ekzistojmë, ku kemi pasur në të gjitha garat medalje. Nuk është lehtë në atë konkurrencë me marrë medalje. Unë e ceka edhe pak më përpara, ka qenë mirë që Ministria e Sportit të na përkushtohet më shumë, t’i përkushtohet, nuk po them veç kikboksit, por të gjitha sporteve të cilat e prezantojnë shtetin në arenën ndërkombëtare”, tha Makolli në fund.
Makolli bëri të ditur se Nart Kastrati e fitoi medaljen e argjendtë në disiplinën e tij, ndërsa Art Dulaj u stolis me medaljen e bronztë në full contact. Ai gjithashtu ngriti shqetësime për referimin në finalen e Kastratit, duke pretenduar se vendimet e gjyqtarëve ndikuan në rezultatin përfundimtar. /KosovaPress/