Përditësimet e softuerëve kosto e lartë për kompanitë

Kompanitë e mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britani të madhe shpenzojnë mesatarisht 28 për qind të buxhetit për softuerë për përditësime, migrim dhe ndryshime të licencave të imponuara nga ofruesit, të cilat nuk do t’i kishin zgjedhur vetë. Këto shpenzime shtojnë kostot dhe rreziqet operacionale, në një kohë kur kompanitë po përpiqen të përvetësojnë zgjidhjet e inteligjencës artificiale.

Këto janë gjetjet e një ankete të publikuar të martën nga Origina, kompani që ofron shërbime të mirëmbajtjes së softuerëve, e cila ka anketuar më shumë se 2 mijë kompani.

Në raport, këto shpenzime të përsëritura dhe vështirësitë operacionale përshkruhen si një “taksë e softuerëve”.

“Kur alternativa ndaj një përditësimi të padëshiruar është humbja e mbështetjes për sistemet nga të cilat varet biznesi, pranimi i tij shpesh është një vendim racional”, tha Tomas O’Leary, drejtor ekzekutiv i Origina-s.

Sipas anketës, 95 për qind e të anketuarve thanë se kishin paguar për një përditësim të kërkuar nga ofruesi, edhe pse prisnin që ai të sillte rezultate më të dobëta. Ndërkaq, 80 për qind deklaruan se largimi nga një ofrues i madh i softuerëve do të shkaktonte ndërprerje të konsiderueshme në veprimtarinë e kompanisë.

Po ashtu, 84 për qind e të anketuarve thanë se stafi i lartë inxhinierik shpesh ose gjithmonë shpenzonte kohë për ndryshime të softuerëve të kërkuara nga ofruesit, në vend që të përqendrohej te inovacioni dhe zhvillimi i projekteve të biznesit.

Anketa zbuloi gjithashtu se 91 për qind e kompanive kishin nxjerrë jashtë përdorimit pajisje ende funksionale gjatë tri viteve të fundit, për t’iu përshtatur afateve të mbështetjes teknike të përcaktuara nga ofruesit. Mesatarisht, ato kishin hequr dorë nga 1.65 vjet të jetëgjatësisë së mbetur të përdorimit të pajisjeve.

Sipas raportit, ndryshimi më i fundit i softuerëve i kërkuar nga ofruesit u kishte kushtuar organizatave të anketuara mesatarisht 12.87 milionë dollarë në vit.

O’Leary tha se ky problem është i përhapur dhe prek edhe rajone të tjera të botës, ndërsa kompanitë më të vjetra, me sisteme teknologjike më të konsoliduara, përballen me vështirësitë më të mëdha. /RTKlive / Burimi: Reuters

Read Previous

Juventusi në krizë rezultatesh, Spalletti nën presion para sfidave vendimtare

Read Next

Pas protestave të dhunshme, Kumbaro: Psikologë në dispozicion të nxënësve dhe familjeve