Deputeti Artan Behrami reagon ndaj Trendafilovës: Zakonet e vjetra, fjalor i ri
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj deklaratave të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, lidhur me pavarësinë e gjykatës dhe sundimin e ligjit.
Përmes një reagimi publik, OVL-UÇK ka kritikuar qëndrimin e Trendafilovës, duke theksuar se ligjet në Kosovë miratohen nga Kuvendi dhe se Dhomat e Specializuara janë themeluar nga ky institucion.
“Të pretendosh se një gjykatë ka të drejtën e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e saj, është jo vetëm e çuditshme, por edhe qesharake. Këto pretendime i lexuam në komunikatën e znj. Trendafilova”, thuhet në reagim.
Sipas OVL-UÇK-së, Dhomat e Specializuara nuk kanë pushtet mbi Kuvendin e Kosovës.
“Zonja në fjalë, duhet të dijë se në Kosovë, ligjet i miraton Kuvendi. Vet Dhomat e Specializuara ekzistojnë sepse u krijuan nga Kuvendi, andaj ato nuk kanë pushtet mbi institucionin që i themeloi”, thuhet më tej.
Organizata ka kritikuar gjithashtu deklaratat e Trendafilovës për sundimin e ligjit, duke theksuar se nuk do të heqë dorë nga e drejta për të kritikuar vendimet gjyqësore.
“Trendafilova duhet ta dijë se t’i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit, përderisa e trajton interpretimin personal si të padiskutueshëm, është arrogancë. Kritika ndaj vendimeve gjyqësore është e drejtë legjitime dhe nuk do të heqim dorë prej saj. Asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta fshijë të vërtetën se Lufta Çlirimtare ishte e drejtë”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK ka theksuar se gjykatat nuk duhet të shndërrohen në institucione që përcaktojnë historinë, por duhet të kryejnë detyrat e tyre me profesionalizëm.
“Lirinë e Kosovës e fituan ata që u ngritën kundër gjenocidit, dhe shtetësia e Kosovës qëndron mbi sakrificën e tyre. Andaj, gjykatat asnjëherë nuk duhet të shndërrohen në institute historie, por duhet që me dinjitet e profesionalizëm ta kryejnë punën për të cilën janë mandatuar. Fatkeqësisht, në rastin e Dhomave të Specializuara kanë munguar që të dyja, edhe dinjiteti, edhe profesionalizmi”, përfundon reagimi.
Ky reagim vjen pasi Trendafilova, përmes një videomesazhi, deklaroi se kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime në një shoqëri demokratike, por askush nuk mund t’u diktojë gjyqtarëve mënyrën se si duhet ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin. /KosovaPress/