Haxhiu: Institucionet në Shqipëri duhet t’i dëgjojnë kërkesat e protestuesve
53.4 për qind e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit në Kosovë janë identifikuar në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes. Kështu ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili ka theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm për rritjen e mundësive të trajtimit të suksesshëm dhe mbijetesës.
Gjatë Simpoziumit të Tretë për Kancerin e Gjirit, të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës në bashkëpunim me institucione dhe organizata shëndetësore, Vitia ka folur për masat që po ndërmerren për përmirësimin e diagnostikimit dhe trajtimit të kësaj sëmundjeje.
Sipas ministrit, Kosova tashmë ka për herë të parë një plan veprimi për skriningun e kancerit të gjirit për periudhën 2026–2028. Ai ka bërë të ditur se mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore, ndërsa gjatë këtij viti pritet të shtohen edhe tetë mamografë digjitalë në komunat ku mungojnë këto pajisje.
Vitia ka theksuar gjithashtu se përmes mamografit mobil synohet të mundësohet qasja në ekzaminime edhe për gratë në komunat ku aktualisht nuk ka aparatura të tilla.
Në kuadër të investimeve në shërbimet shëndetësore, ministri ka përmendur edhe modernizimin e Klinikës së Onkologjisë, me dy akseleratorë të rinj, si dhe rritjen e buxhetit për barnat onkologjike nga 8 milionë në 22 milionë euro.
Ai ka nënvizuar se përveç investimeve në pajisje dhe trajtim, rëndësi të veçantë ka edhe ndërgjegjësimi i grave për kontrollet e rregullta dhe diagnostikimin në kohë.
Ndërkohë, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025, në kuadër të aktiviteteve për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, janë realizuar 1 mijë e 847 mamografi. Prej tyre, 463 janë kryer vetëm gjatë muajit tetor.
Sipas tij, gjatë këtij viti, deri në ditën e mbajtjes së simpoziumit, janë realizuar 700 mamografi, rreth 150 prej të cilave gjatë muajit tetor.
Në anën tjetër, kryetari i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Osman Zhuri, ka vlerësuar se simpoziumi paraqet një mundësi për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave profesionale, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe profesionistëve shëndetësorë.
Aktiviteti është zhvilluar në kuadër të fushatës së Tetorit Rozë, e cila synon rritjen e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe rëndësinë e zbulimit të hershëm. /tvsyrivision/