Evropa përballet me thirrje për të ngadalësuar investimet në IA

Sulmet ndaj qendrave të të dhënave në zonat e luftës po ngrenë shqetësime për sigurinë e infrastrukturës së inteligjencës artificiale në Evropë. Një këshilltar i Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se shtetet evropiane duhet të rishqyrtojnë planet për ndërtimin e këtyre objekteve dhe të ngadalësojnë ritmin e investimeve, raporton Euronews.

Mehdi Paryavi, këshilltar i Kombeve të Bashkuara dhe themelues i organizatës International Data Center Authority (IDCA), ka thënë se sulmet ndaj qendrave të të dhënave mund të paralizojnë ekonominë dhe shërbimet publike, përfshirë bankat dhe spitalet.

“Kur goditen mjaftueshëm objektiva të rëndësishëm, mund të rrëzohet e gjithë ekonomia”, ka deklaruar Paryavi për Euronews Next.

Sipas Euronews, Rusia ka goditur qendra të të dhënave në Kiev, ndërsa dronët ukrainas kanë sulmuar disa qendra të tilla në Rusi gjatë javëve të fundit.

Paryavi ka paralajmëruar se masat tradicionale të sigurisë mund të mos jenë më të mjaftueshme dhe se mund të nevojiten sisteme të mbrojtjes, ndërtim nëntokësor ose bunkerë.

“Ditët kur qendrat e të dhënave ndërtoheshin në lokacione të rastësishme kanë përfunduar”, ka thënë ai.

I pyetur nëse sulmet do t’i shtyjnë qeveritë evropiane të rishqyrtojnë planet për ndërtimin e gjigafabrikave të inteligjencës artificiale, Paryavi është përgjigjur pozitivisht.

Komisioni Evropian ka bërë të ditur për Euronews Next se ka hapur një thirrje për propozime për krijimin e deri në shtatë gjigafabrikave të inteligjencës artificiale në Evropë. Afati për aplikim përfundon më 12 nëntor.

Sipas Paryavit, një qendër e të dhënave mund të kushtojë deri në 25 miliardë dollarë dhe të kërkojë deri në tre vjet për t’u ndërtuar.

“Evropa nuk mund të përballojë financimin e aseteve me vlerë qindra miliarda dollarë dhe pastaj dikush t’i shkatërrojë ato”, ka deklaruar ai, duke theksuar se ritmi i ndërtimit të qendrave të të dhënave duhet të ngadalësohet.

Ai u ka bërë thirrje shteteve evropiane të bashkëpunojnë për përballimin e rreziqeve të sigurisë, mungesës së energjisë dhe punonjësve të kualifikuar. /RTKlive

Read Previous

Dyshohet se hyri ilegalisht nga Serbia në Kosovë, ndalohet një person

Read Next

Pse PSG është shndërruar në “makth” për klubet angleze?