Përplasjet me Policinë në Tiranë, gjykata cakton masat për tetë protestues
Reforma në drejtësi në Kosovë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 ka shënuar më shumë përparim procedural sesa rezultate konkrete, ndërsa zbatimi i saj është shoqëruar me vështirësi institucionale, mungesë transparence dhe kosto financiare. Kështu vlerëson Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në raportin e monitorimit për periudhën janar–qershor 2026.
Vullnet Bugaqki nga KDI, gjatë prezantimit të raportit, theksoi se përveç mungesës së rezultateve konkrete, shqetësim mbetet edhe transparenca e procesit të konsultimeve publike.
“Ky raport vlerëson se reforma në drejtësi për këtë periudhë kohore ka shënuar më shumë përparim procedural sesa rezultate konkrete. Deri më 30 qershor 2026, asnjë nga projektligjet e pakos së drejtësisë, pra projektligjet që vijnë nga nismat e zotimeve të pakos së drejtësisë, nuk është miratuar”, tha Bugaqki.
Ai shtoi se Ministria nuk ka dhënë arsyetime të mjaftueshme për refuzimin e rekomandimeve dhe komenteve të paraqitura gjatë konsultimeve publike nga shoqëria civile dhe institucionet përkatëse.
Bugaqki vuri në pah edhe rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, të cilat synojnë forcimin e integritetit dhe pavarësisë së gjyqësorit, parandalimin e politizimit të institucioneve të drejtësisë dhe shmangien e bllokadave në funksionimin e tyre.
Sa i përket ndikimit politik në hartimin e projektligjeve, ai tha se raporti nuk ka identifikuar prova të qarta për një ndikim të tillë, por ka evidentuar rreziqe që kërkojnë mekanizma më të fortë mbrojtës.
“Sa i përket ndikimit politik, raporti nuk ka identifikuar se ekzistojnë prova të qarta që mbështesin përfundimin se këto projektligje janë hartuar ose nën ndikimin politik. Megjithatë, raporti evidenton rreziqe strukturore që kërkojnë garanci më të qarta kundër ndërhyrjeve ekzekutive dhe legjislative te institucionet e drejtësisë”, deklaroi Bugaqki.
Ndërkaq, Florent Spahija nga KDI foli për ndryshimet në përbërjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), sfidat e zbatimit të reformës dhe ndikimin e saj financiar.
Sipas Spahijës, KPK-ja, e cila një vit më parë kishte 30 anëtarë, tashmë ka mbetur me vetëm shtatë. Ai shpjegoi se numri i përfaqësuesve prokurorë është zvogëluar dhe se tre anëtarë të tjerë zgjidhen nga Kuvendi, çka ka nxitur shqetësime për mundësinë e ndikimit politik.
“Ajo çfarë ka ndodhur, KPK-ja nga 30 anëtarë që kishte një vit më herët, tashmë e kemi me shtatë anëtarë. Pra, nga dhjetë prokurorë, është ulur në tre prokurorë plus kryeprokurori dhe tre kanë mbetur jashtë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi”, tha Spahija.
Megjithatë, ai theksoi se legjislacioni i ri parasheh mekanizma që synojnë të parandalojnë ndikimin politik në përzgjedhjen e anëtarëve.
Spahija përmendi edhe vështirësitë e para në funksionimin e KPK-së, përfshirë dështimin e mbledhjeve për shkak të mungesës së kuorumit dhe kontestimin gjyqësor të zgjedhjeve të anëtarëve prokurorë.
“Mbledhjen e parë, vetë Këshilli Prokurorial i Kosovës në janar dhe në shkurt kanë dështuar në mungesë kuorumi. Zgjedhjet të cilat janë bërë në atë kohë për anëtarë prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës janë kontestuar në gjykatë”, deklaroi ai.
Sipas Spahijës, këto probleme tregojnë se zbatimi i reformës nuk është shoqëruar gjithmonë me një plan të qartë për trajtimin e vështirësive që mund të shfaqen pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve.
Një tjetër çështje e ngritur nga KDI është kostoja financiare e reformës në drejtësi. Sipas analizës së institutit, vetëm themelimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme kërkon së paku 1.2 milionë euro, pa përfshirë shpenzimet e tjera.
“Fillimisht, po flasim për koston financiare të Byrosë Shtetërore, e cila analizës e jona del se së paku 1.2 milionë euro do t’i nevojiten Byrosë vetëm për themelimin e saj, pa përmendur pagesat e tjera”, tha Spahija.
Raporti i KDI-së nënvizon kështu nevojën që reforma në drejtësi të shoqërohet jo vetëm me avancim ligjor, por edhe me rezultate konkrete, transparencë më të madhe, garanci për pavarësinë e institucioneve dhe planifikim të qartë për zbatimin e ndryshimeve. /RTKlive