Filharmonia e Kosovës dhuron një mbrëmje madhështore muzikore

Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës kanë mbajtur një koncert të jashtëzakonshëm, nën drejtimin e dirigjentit polak Wojciech Czepiel, duke sjellë para publikut vepra të rëndësishme të muzikës klasike botërore dhe shqiptare.

Programi koncertal u hap me veprën “Ciaccona”, nga “Rekuiemi polak” i kompozitorit Krzysztof Penderecki, kushtuar Papa Gjon Palit II. Më pas u interpretua poema simfonike “Skënderbeu” e kompozitorit shqiptar Fahri Beqiri.

Pjesa e parë e koncertit u përmbyll me “Koncertin për violinë dhe orkestër nr. 1” të kompozitorit polak Karol Szymanowski, vepër e interpretuar për herë të parë në Kosovë. Soliste ishte violinistja polake Joanna Konarzewska.

Në interpretimin e kësaj vepre, Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës iu bashkuan edhe pesë instrumentistë të Filharmonisë së Krakovës, në kuadër të bashkëpunimit të nisur këtë vit ndërmjet dy institucioneve.

Pjesa e dytë e koncertit solli oratoriumin monumental “Homagium Matri Teresiae” të kompozitorit Mendi Mengjiqi, me pjesëmarrjen e Korit dhe solistëve Adelina Paloja (soprano), Ivana Hoxha (mezzosoprano), Matias Xheli (tenor) dhe Bledar Domi (bas).

Koncerti u prit me duartrokitje të gjata nga publiku, duke shënuar një tjetër ngjarje të rëndësishme për jetën muzikore në Kosovë dhe një hap të ri në bashkëpunimin ndërkombëtar të Filharmonisë së Kosovës.

Kjo mbrëmje shërben edhe si prelud i prezantimit të Filharmonisë së Kosovës në Filharmoninë e Krakovës, ku ajo do të paraqitet më 16 dhe 17 tetor 2026. /RTKlive

Read Previous

​Këto projektligje do të trajtohen nga Kuvendi i Kosovës të enjten

Read Next

Yamal i afrohet rekordit të Mbappe-s në Ligën e Kampionëve