Ministri Jagxhiu: Internet falas në 43 lokacione publike në 33 komuna të Kosovës

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka njoftuar se ka përfunduar shtrirja e rrjetit falas të internetit “Wi-Fi for Western Balkans” në 33 komuna të Kosovës, në gjithsej 43 lokacione publike.

Me këtë rast, Jagxhiu ka thënë se rrjeti tashmë po përdoret nga qytetarët, duke theksuar se janë regjistruar mbi 1.1 milion lidhje në internet përmes këtij projekti në Kosovë.

Vetëm në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, sipas tij, janë regjistruar mbi 14 mijë lidhje brenda rreth gjashtë javësh.

Ai ka theksuar se projekti është pjesë e përpjekjeve për transformimin digjital të vendit dhe për të siguruar qasje më të lehtë në internet për të gjithë qytetarët.

Jagxhiu ka përmendur edhe zgjerimin e shërbimeve elektronike përmes platformës e-Kosova, e cila aktualisht ofron mbi 330 shërbime për qytetarët dhe bizneset. Ndërsa, përmes e-Kosova 2.0, synohet shtimi i 400 shërbimeve të tjera gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vlerësuar se qasja falas në internet në hapësirat publike krijon mundësi të reja për studentët, të rinjtë dhe qytetarët.

Ai ka thënë se kjo mundësi mund t’u shërbejë studentëve për të mësuar, të rinjve për të aplikuar për punë dhe qytetarëve për të përdorur shërbimet elektronike pa humbur kohë.

Rama ka theksuar se Prishtina, si kryeqytet me popullatë të re dhe me potencial të madh, synon të krijojë kushte që të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre në vend.

Projekti “Wi-Fi for Western Balkans”, i frymëzuar nga programi Wi-Fi4EU i Bashkimit Evropian, është realizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Gjermanisë, përmes projektit EU4Digital, ndërsa zbatimi është bërë nga GIZ-i, në bashkëpunim me komunat dhe Telekomin e Kosovës. /RTKlive

Read Previous

Përshkallëzohet lufta në Ukrainë, rriten tensionet ushtarake dhe diplomatike

Read Next

Arian Tahiri: Ligji për Specialen duhet të zbatohet pa përjashtime