Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në një konferencë për media, tha se sipas të gjitha gjasave vendi po shkon në zgjedhje.
Hamza, ka thënë se marrëveshja për kandidatin për president, Bekim Sejdiu, nuk është marrëveshje me PDK-në, por me një subjekt tjetër politik.
“Marrëveshja për Sejdiun nuk është me PDK-në është me një subjekt tjetër politik. As nuk kam vërejtje për Sejdiun por është marrëveshje jashtë PDK-së. Po ti kërkojë 10 deputetë, 11 atëherë edhe unë po ti kërkoj ty 29. Sillni në sallë qysh do le të votojnë por nuk shkojnë kështu. Nëse dojmë ta bëjmë Ligjin sjelli 29 deputetë në sallë, le të votojnë për a kundër ose edhe abstenim. Në orët e fundit nuk mundesh të imponosh marrëveshje. Ne po kërkojmë ta bëjmë ligjin. Çdo orë, çdo kohë që kalon në të vërtetë e pamundëson aprovimin e ligjit në dy leximet. Prandaj edhe herëve të kaluara vendi ka shkuar në zgjedhje si veprim, si projekt i Kurti. Edhe kësaj radhe vendi shkon në zgjedhje sepse LVV i dëshiron të gjitha për vete, edhe ato që nuk i takojnë”, ka thënë Hamza.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kritikuar vonesat në konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe mungesën e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit, duke thënë se institucionet e vendit kanë kaluar afatet e përcaktuara kushtetuese.
Hamza tha se, bazuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi është dashur të jetë i konstituuar deri më 7 gusht.
“Që Kuvendi i Kosovës, edhe në bazë të gjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, është dashur që të jetë i konstituuar me datën 7 gusht. Kemi vonesa, mosrespektim të afateve kushtetuese për Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Hamza.
Ai kritikoi, siç tha, kushtëzimin e konstituimit të Kuvendit me arritjen e një marrëveshjeje për presidentin, duke theksuar se deri më tani nuk ka pasur veprime konkrete për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Asnjë veprim konkret, serioz për një periudhë prej datës 7 gusht deri sot, deri në orët e fundit për me i dhënë vendit president”, tha ai.
Hamza: UÇK-ja dhe lufta e Kosovës nuk janë pronë e një partie
Duke folur për deklaratën politike në mbështetje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hamza tha se lufta, viktimat dhe sakrifica e popullit të Kosovës u përkasin të gjithëve dhe jo vetëm PDK-së.
“Lufta e popullit të Kosovës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është luftë e cila është veç e PDK-së. Askund në deklaratë nuk shkruan për PDK-në”, tha Hamza.
Ai falënderoi deputetët që e kanë mbështetur deklaratën, duke kërkuar që edhe partitë e tjera politike të jenë pjesë e mbrojtjes së vlerave të luftës çlirimtare.
“Viktimat, dëshmorët, viktimat civile, invalidët e luftës, veteranët, populli i Kosovës nuk i takon veç një subjekti politik. I takon të gjitha subjekteve politike”, u shpreh ai.
Sipas Hamzës, PDK-ja e ka sponsorizuar deklaratën në kuadër të përgjegjësisë së saj politike dhe jo për përfitime partiake.“Nuk është deklaratë që PDK-ja e ka për ndonjëfarë përfitimi politik”, tha ai.
Hamza foli edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke kërkuar drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Ligji do, kërkon drejtësi. Drejtësi për njerëzit të cilët janë në këtë proces. Drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin”, deklaroi ai.
Hamza tha se ata po përballen me akuza të rënda dhe se procesi duhet të zhvillohet mbi bazën e fakteve.“Janë përballë me akuza të tmerrshme, të cilat kanë qenë barrë e madhe për Kosovën. Asgjë nga ato akuza, as për trafikim të organeve, as krime kundër njerëzimit”, tha Hamza.
Ai theksoi se qëllimi, sipas tij, është mbikëqyrja dhe transparenca e procesit, e jo ndërhyrja në punën e gjykatës.
“Jemi për me vendos mbikëqyrje, jo ndërhyrje, jo me i thënë gjykatës qysh me gjyku ju, po me pas mbikëqyrje, me pas transparencë, me pas llogaridhënie, me pas drejtësi”, u shpreh ai duke shtuar se çdo krim duhet të gjykohet, pavarësisht se kush e ka kryer, por mbi bazën e fakteve.
“Edhe krimet, kudo qofshin, nga kushdo qofshin, me u gjyku. Por mbi bazën e fakteve, jo të pavërtetave”, tha ai.
Hamza: Ligji duhet të miratohet në dy lexime
Kryetari i PDK-së tha se partia e tij e ka lënë hapësirën për apel me qëllim që institucioneve gjyqësore t’u jepet mundësia për të treguar drejtësi.
Ai theksoi se ligji duhet të miratohet në të dyja leximet dhe të prodhojë efekt juridik.
“Nëse nuk ka rezultat final, nëse ligji nuk aprovohet në dy leximet dhe përfundimisht nuk ka efekt, nuk prodhon efekt juridik, sepse proceset nuk finalizohen, ligji dhe vendi shkon në zgjedhje, ai kthehet prej fillimit”, deklaroi Hamza.
Ai mohoi se ligji është hartuar për interesat e PDK-së.“Ky ligj nuk ka të bëjë me PDK-në. Ky ligj nuk është për PDK-në. Ky ligj është për një çështje për të cilën po i referohemi”, tha Hamza.
Sipas tij, çështja e presidentit nuk duhet të vendoset mbi miratimin e këtij ligji.
“Po ndërlidhet, po thuhet çka ka ndërlidhje mes presidentit edhe ligjit. Por në fakt, po vendoset çështja e presidentit përmbi ligjin”, u shpreh ai.
Hamza kundërshtoi edhe interpretimet se mes dy leximeve të ligjit duhet të kalojnë 72 orë, duke pretenduar se PDK-ja ka kërkuar shmangien e procedurave përmes dispozitave përkatëse ligjore.
“Është e pasaktë juridikisht, e pavërtetë se ne nuk kemi kërkuar mocion për procedura të përshpejtuara. Ne i jemi referuar nenit 123 që flet për shmangie të procedurave”, tha ai.
“Është dallim substancial juridik. Dhe kjo e përjashton atë kohën prej 72 orëve”, shtoi Hamza. Ai ngriti pyetjen pse ligji, sipas tij, kishte qëndruar për disa ditë në Qeveri para se të miratohej.
“Ligji në Qeveri ka qëndruar për ditë, për më shumë ditë. Përse e aprovuam të enjten? Përse e aprovuam të shtunën?”, deklaroi ai.
Hamza tha se ka zhvilluar takime me liderët e partive politike për çështjet aktuale dhe se nuk i është shmangur dialogut politik. “Jam takuar vazhdimisht. Jam i vetmi që jam takuar me të gjithë liderët e partive politike: edhe me zotin Kurti, edhe me zotin Gjini, edhe me zotin Abdixhiku”, tha ai.
Megjithatë, Hamza theksoi se dialogu duhet të sjellë rezultate konkrete.“Nuk i kam ikur takimeve as për këtë temë, as për tema të tjera. Mirëpo nuk mundem me bërë seri me shumë episode pa rezultat. Ne jemi në orët e fundit”, deklaroi ai.
Hamza përsëriti qëndrimin e PDK-së se lufta e UÇK-së dhe sakrifica për lirinë e Kosovës janë vlera të përbashkëta.
“UÇK-ja i takon të gjithëve. Lufta na takon të gjithëve. Liria na takon të gjithëve. Shteti na takon të gjithëve. Viktimat e luftës, martirët janë të gjithëve. Dëshmorët janë të gjithëve. Veteranët janë të gjithëve. UÇK-ja është e gjithë neve. Për këtë është ligji”, përfundoi Hamza. /RTKlive