Marrëveshjet me Gjermaninë, Balla: Investimet në konvikte, mbështetje konkrete për studentët
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen planifikon të shtyjë zbatimin e rregullave të reja për kufizimin e emetimeve të metanit, me synimin për të ndihmuar në uljen e çmimeve të energjisë.
Von der Leyen tha sot në Parlamentin Evropian në Strasburg se Komisioni Evropian synon t’u japë eksportuesve të lëndëve djegëse fosile drejt Bashkimit Evropian edhe një vit kohë, përpara se rregullat e reja të fillojnë të zbatohen.
“Kjo kursen kosto shtesë në një moment krize”, tha ajo.
Rregullat e BE-së për uljen e çlirimit të metanit nga sektori i energjisë, janë në fuqi që prej vitit 2024.
Duke filluar nga viti 2027, kompanitë do të duhet të dëshmojnë, për disa kontrata furnizimi, se prodhuesit në vendin nga vijnë lëndët djegëse matin dhe dokumentojnë sasinë e metanit që çlirojnë, duke respektuar të paktën të njëjtat standarde që zbatohen për kompanitë brenda BE-së.
Javën e kaluar, komisioneri i BE-së për Energjinë, Dan Jorgensen, tha se kishte udhëzuar stafin e tij të shqyrtonte mundësinë e shtyrjes së hyrjes në fuqi të këtyre rregullave.
Pasi Komisioni Evropian të paraqesë zyrtarisht propozimin, vendet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian duhet ta miratojnë shtyrjen.
BE-ja po përballet me rritje të çmimeve të energjisë, që nga fillimi i luftës në Iran në shkurt.
Von der Leyen bëri gjithashtu thirrje për një diskutim mbi rafineritë evropiane të naftës, me synimin për të ulur kostot dhe për të garantuar që BE-ja të ketë furnizimet e nevojshme edhe për mbrojtjen.
Presidentja e Komisionit Evropian u bëri gjithashtu thirrje vendeve të BE-së, të përdorin plotësisht rregullat dhe politikat që ekzistojnë tashmë për të përballuar rritjen e çmimeve.
Ajo përmendi, ndër të tjera, rregulla më fleksibël për ndihmën shtetërore dhe zgjerimin e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme. /ATSH-DPA/