Haxhiu: Shëndeti i gruas meriton më shumë vëmendje në familje dhe institucione

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në hapjen e fushatës “Tetori Rozë”, ka bërë thirrje për më shumë kujdes dhe mbështetje për gratë që përballen me kancerin e gjirit, duke theksuar se shëndeti i tyre duhet të jetë prioritet i vazhdueshëm institucional dhe shoqëror.

Në ceremoninë e mbajtur në hollin e Kuvendit të Kosovës, Haxhiu tha se diagnoza e kancerit të gjirit nuk prek vetëm gruan, por edhe familjen e saj, duke ndryshuar përditshmërinë, planet dhe mënyrën e jetesës.

Ajo theksoi se hapja e fushatës në Kuvend është një mundësi për të rikujtuar përgjegjësinë e institucioneve në hartimin e ligjeve dhe ndarjen e buxhetit për nevojat shëndetësore të grave.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Haxhiu, gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë raportuar 601 raste të reja të kancerit të gjirit.

Ajo përmendi disa nga përparimet e bëra në këtë drejtim, përfshirë ofrimin pa pagesë të mamografisë në shëndetësinë publike që nga viti 2023, si dhe rindërtimin e gjirit pa kosto dhe pa listë pritjeje.

Haxhiu rikujtoi se në vitin 2024 është siguruar edhe aparatura Sentinel, e cila ndihmon në identifikimin e nyjeve limfatike që duhet të vlerësohen dhe, në raste të përshtatshme, mundëson shmangien e ndërhyrjeve më të gjera kirurgjike.

Ajo bëri me dije se buxheti për barna onkologjike është rritur nga 8 milionë në 22 milionë euro.

Ndërkohë, si një hap tjetër drejt përmirësimit të kujdesit shëndetësor, Haxhiu përmendi planin e veprimit për skriningun e kancerit të gjirit, të hartuar për herë të parë nga Ministria e Shëndetësisë, me përfshirjen e të tri niveleve të kujdesit shëndetësor.

Në kuadër të këtij plani parashihet funksionalizimi i kabineteve radiologjike nëpër komuna, si dhe vendosja e tetë mamografëve të rinj statikë digjitalë.

Sipas saj, këto investime do të ndihmojnë në afrimin e shërbimeve shëndetësore me gratë, veçanërisht me ato që jetojnë larg qendrave shëndetësore dhe përballen me vështirësi udhëtimi, shpenzime shtesë dhe obligime familjare.

Haxhiu u bëri thirrje familjeve dhe shoqërisë që të mbështesin gratë në kujdesin për shëndetin e tyre, duke theksuar se ato nuk duhet të ndihen fajtore kur u japin përparësi nevojave personale.

“Gruaja ka të drejtë të kujdeset për veten pa u ndjerë fajtore për punën që e lë prapa pa kryer”, tha Haxhiu.

Ajo iu drejtua edhe grave që e kanë përjetuar sëmundjen, duke vlerësuar guximin e tyre për të ndarë përvojat dhe duke theksuar se ato kanë të drejtë të shprehin lodhjen, frikën dhe pasigurinë, si dhe të kërkojnë ndihmë.

Haxhiu nënvizoi se përvojat e pacienteve duhet të merren parasysh edhe gjatë hartimit të politikave shëndetësore, në mënyrë që institucionet të identifikojnë vonesat në ofrimin e kujdesit dhe të ndërmarrin masa për përmirësimin e shërbimeve.

Në fund, ajo përkujtoi gratë që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje dhe shprehu ngushëllime për familjet e tyre.

Haxhiu theksoi se kujdesi institucional nuk duhet të kufizohet vetëm në muajin tetor, por të vazhdojë gjatë gjithë vitit, në mënyrë që çdo grua që kërkon ndihmë në institucionet shëndetësore të gjejë shërbime cilësore dhe mbështetjen e nevojshme.

Ajo, po ashtu, falënderoi stafet shëndetësore për punën dhe përkushtimin e tyre. /RTKlive

Read Previous

E ardhmja e Ronaldos te Portugalia në pikëpyetje pas largimit të papritur

Read Next

Policia e Kosovës: 60 aksidente dhe 2,521 gjoba trafiku të shqiptuara për 24 orë