Bolton për Gjykatën Speciale: Ka një element të rëndë politik

Ish-këshilltari i presidentit amerikan Donald Trump për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, është shprehur për shpërbërjen e Gjykatës Speciale në Hagë, duke deklaruar se proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë një “element të rëndë politik”.

Në një intervistë për A2CNN, Bolton e cilësoi institucionin si të paligjshëm dhe ngriti shqetësime për mungesën e mbikëqyrjes dhe pasojat që, sipas tij, kjo mund të ketë për drejtësinë.

Bolton argumentoi se një zgjidhje më e përshtatshme do të ishte që vetë shtetet, përfshirë Kosovën dhe Serbinë, të hetonin dhe të gjykonin ish-liderët e tyre përmes sistemeve të pavarura të drejtësisë.

“Pikëpamja ime është që këto gjyqe kanë patur një element të rëndë politik dhe nuk është një pyetje abstrakte për të kërkuar drejtësi, për çdo kënd që është i përfshirë në konflikt. Pikëpamja ime për një kohë të gjatë ka qenë është që nëse e merr këtë si shembull, që ilaçi më i mirë për ato lloj sjellje nga ish-drejtuesit, në rastin e Serbisë, është që të bëjnë ata vendimin për të hetuar dhe dënuar ish-liderët e tyre, po ashtu me Kosovën, për të përfunduar konfliktin dhe çfarë do që palët duhet të vënë mbrapa shpatullave të tyre, për të kërkuar atë drejtësi, që vetëm një tribunal i pavarur mund ta bëjë, mendoj që nuk është e duhura.

Të shkuarën me të harruarën, nuk besoj se është forma e duhur, por duhet të arrijë një kohë, kur kjo është e vetmja mënyrë si mund ta bësh. Më e mira është të shikojmë drejt së ardhmes, dhe kjo mund të jetë përgjigjja e duhur, nuk po e paragjykoj por mendoj se nëse inkurajon pjekurinë politike, duke patur vendet që të gjykojnë vet ish-liderët e tyre, nëse kanë bërë gjënë e duhur, apo kanë bërë gabime nga një trup që është e pavarur, nuk kemi për ta parë asnjëherë fundin”, tha Bolton.

I pyetur nëse Gjykata Speciale në Hagë po krijon një precedent të rrezikshëm për të gjitha lëvizjet çlirimtare në botë, Bolton tha se një gjë e tillë është e mundur.

“Është e mundur, por njerëzit e kanë humbur interesin te trupi gjykues dhe ideja që vendet që e kanë ngritur trupin gjykues, do ta supervizonin, kjo është zhdukur dhe për mua kjo shkon te paligjshmëria e këtij institucioni, dhe nuk reflektojnë çfarë Amerika beson për një kohë të gjatë, që e vetmja mënyrë korrekte, e duhur, për të bërë drejtësi, është nëpërmjet një sistemi të drejtësisë nga shtetet e pavarura si për sistemin e prokurorisë dhe gjyqësorin. Mendoj që kjo gjykatë është e paligjshme dhe shembujt që po jepni demonstron që trupi, prokuroria, kanë bërë gabimet e tyre”.

I pyetur nëse, sipas tij, Gjykata Speciale duhet të shpërbëhet “një orë e më parë”, Bolton u përgjigj:

“Sigurisht. Ka qenë një kohë e gjatë që prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, dhe të mendosh në një pikë që mund ta quash këtë një fund, sinqerisht s’jam i sigurt që vendet që e kanë krijuar këtë gjykatë… Nëse dikush është i pakënaqur, nëse Kosova është e pakënaqur, duhet të flasin dhe ta thonë që kemi arritur kufijtë e tolerimit. I ka tejkaluar kufijtë e asaj që mendonim dhe kishim rënë dakord.

Dikush duhet ta kuptojë që këto trupa gjykuese kur u krijuan nuk ishin kaq virtuoze sepse ishin ndërkombëtare, dhe që mungesa e mbikëqyrjes mund të çojë drejt rrethanave ku ato humbasin rrugët dhe shkojnë në drejtime që askush s’i kishte menduar dhe shkaktojnë dëme.

Duke u fokusuar në mendjengushtësi, për akuzat e gabimeve gjatë luftës, siç e bënë, japin mundësinë për mospajtim dhe heqin dorën nga çfarë do lloj përgjegjësie dhe forme papërgjegjshmërie që liderët kanë bërë në të kaluarën”.

Bolton, ka paralajmëruar për rrezikun që Rusia paraqet për stabilitetin në Ballkan, duke përmendur përpjekjet e Moskës për të nxitur trazira dhe për të rihapur çështjet e vjetra të rajonit.

Në një intervistë për emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, Bolton kritikoi qasjen e administratës amerikane ndaj zhvillimeve në Ballkan, ndërsa shprehu shqetësimin se Rusia mund të shfrytëzojë situatën për ta krisur NATO-n.

“Mendoj që kërcënimi i vërtetë i stabilitetit në Ballkan është Rusia dhe përpjekjet për të bërë trazira dhe për të ngjizur sërish çështjet e vjetra të Ballkanit që nga administrata amerikane është gabuar në mënyrën e përqasjes dhe është Rusia që mund të bëjë që NATO-ja të kriset. Kjo është diçka që ne duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje, por nuk mendoj që Trump do t’ia dijë për NATO-n, apo të shqetësohet për anëtarët e NATO-s në Ballkan, apo të tjerë që duan të jenë pjesë e NATO-s”, ka theksuar ai. /RTKlive

Read Previous

“Çfarë mbrëmje, çfarë fitore” – Agim Ademi me mesazh të fuqishëm pas triumfit të Kosovës ndaj Irlandës

Read Next

Tetë ndeshje sot në Ligën e Kombeve, përballje interesante në program