Ditën e djeshme, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Në këtë takim, të cilin Kurti e ka zhvilluar gjatë vizitës në New York, ka marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen.
Kallas, përveç Kurtit, ka takuar edhe liderin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilët, ajo ka ‘’ngritur nevojën për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve’’ mes dy vendeve.
Përfaqësuesja e lartë e BE’së, ka theksuar edhe se, marrëveshjet e arritura përmes dialogut janë ”të detyrueshme” dhe se, ”është koha për të ecur përpara”.
‘‘Sot u takova me Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti dhe ngrita nevojën për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimi në rrugën drejt BE-së duhet të ecin paralelisht. Marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë të detyrueshme. Zbatimi i tyre nuk është një favor ndaj Brukselit, por një detyrim ndaj qytetarëve të tyre dhe ndaj një rajoni që pret marrëdhënie të normalizuara. BE-ja do të vazhdojë të jetë një ndërmjetësues i paanshëm. Por ndërmjetësimi nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë. Është koha për të ecur përpara’’, ka shkruar Kallas në postimin e saj në ‘’X’’ dje.
Ndërsa Kurti, për takimin e tij me Kallas, ka shkruar se është biseduar edhe për dënimin e ish-krerëve të UÇK’së, duke i shprehur ‘’shqetësimet’’ e tij, Kallasit.
‘’Diskutuam gjithashtu aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe shpreha shqetësimin tim të thellë për karakterin mono-etnik të qasjes së gjykatës, si dhe për aktgjykimin e gabuar dhe dënimet e padrejta ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Procesi ligjor nuk ka përfunduar dhe ne do të vazhdojmë angazhimin tonë për të kërkuar korrigjimin e këtyre vendimeve në apel.’’, ka shkruar ai mes tjerash në ‘‘X’’.