Caktohet seanca fillestare në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në mungesë ndaj 21 të pandehurve, të akuzuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Seanca në çështjen penale PS.nr.48/25, lidhur me aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të ngritur më 15 gusht 2025, do të mbahet më 28 shtator 2026, nga ora 09:30, në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali.
Të pandehurit janë: Zlatomir Peshiq, Mladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogoljub Janiçeviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsmаn Jeliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milos Gjoshаn, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Milovan Kovаçеviq.
Ata akuzohen për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”, të paraparë me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së, ndërsa e inkriminuar aktualisht sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Gjykatës, gjykimi do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Gjykata u ka bërë thirrje të akuzuarve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes në Kosovë, ndërsa ka kërkuar nga të gjithë personat që kanë informacione për vendndodhjen e tyre që t’ua përcjellin ato Policisë së Kosovës ose organeve të tjera kompetente.
Seanca do të mbahet në sallën nr. 16, në Objektin D, Kati I, ndërsa kryetare e trupit gjykues është caktuar gjyqtarja Medie Bytyqi. /RTKlive