Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar mbledhjen urgjente të Kuvendit për të diskutuar zhvillimet pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në një postim të tij në Facebook, ish-kryeministri Avdullah Hoti ka theksuar se kanë kaluar gjashtë ditë nga aktgjykimi dhe se, sipas tij, Kuvendi ende nuk është mbledhur për të diskutuar qëndrimet e grupeve parlamentare dhe të Qeverisë lidhur me këtë zhvillim.
Hoti ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës të respektojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor, por edhe të mbajnë qëndrim institucional ndaj aktgjykimit.
Ai propozon që Kuvendi të miratojë një rezolutë të re për angazhimin shtetëror të Kosovës gjatë procesit të shqyrtimit të çështjes në shkallën e dytë.
“Para se gjithash, Kuvendi duhet ta bëjë të qartë: askush nuk mund ta kriminalizojë luftën e popullit të Kosovës për mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe për liri”, ka shkruar ai.
Hoti ka kërkuar gjithashtu nga Qeveria një mobilizim diplomatik me aleatët ndërkombëtarë që kanë mbështetur themelimin e Dhomave të Specializuara. /RTKlive