Pas Amir Rrahmanit, Florent Hadërgjonaj është futbollisti i radhës që është tërhqeur nga përfaqësuesja e Kosovës në futboll.
Ndryshe nga situata e Rrahmanit që doli kundër udhëheqësisë së FFK-së, Hadërgjonaj është tërhequr për shkak të pakënaqësive me stafin teknik.
“Pas shumë mendimesh, kam marrë vendimin që, për momentin, të mos jem më në dispozicion të Kombëtares së Kosovës nën drejtimin e stafit aktual teknik”, ka shkruar fillimisht Hadërgjonaj në postimin e gjatë.
Ai ka thënë se është krenar për çdo paraqitje dhe çdo gjë që ka dhënë për Kosovën. Por, ka mbetur i pakënaqur që nuk është vlerësuar, pavarësisht formës së mirë.
“Gjatë dy viteve e gjysmë të fundit kam zgjedhur të mos flas publikisht, por të vazhdoj punën time dhe të përgjigjem me paraqitjet e mia në klub. Besoj se forma dhe paraqitjet e mia flasin vetë. Megjithatë, me kalimin e kohës është bërë e qartë për mua se me trajnerin aktual nuk ekziston më baza e nevojshme e respektit të ndërsjellë dhe besimit për të vazhduar një bashkëpunim profesional”, ka shtuar tutje Hadërgjonaj që është pjesë e Alanyasporit në Turqi.
32-vjeçari që luan si mbrojtës i krahut të djathtë, i ka 39 paraqitje e një gol të shënuar për Kosovën.
Në këtë edicion i ka pesë ndeshje e dy asistime në Superligën e Turqisë. Në edicionin e kaluar i kishte nëntë gola e 11 asistime në 35 paraqitje në të gjitha garat.
Te Kosova në kampanjën kualifikuese të Botërorit e luajti vetëm një minutë ndaj Sllovakisë, në fitoren 4:3 në udhëtim. Ndeshja i takoi gjysmëfinales së plejofit për Botërorin 2026.
Hadërgjonaj në fund të postimit në rrjetet sociale ka shkruar se nuk është tërheqje nga Kombëtarja dhe nuk është vendim kundër Kosovës. Ka sqaruar se situata ka të bëj vetëm me raportin e tij dhe stafit teknik.
“Për Kosovën do të jem gjithmonë krenar dhe i gatshëm të jap gjithçka, kur të ekzistojnë përsëri kushtet e duhura. Bashkëlojtarëve të mi dhe Kombëtares i dëshiroj nga zemra çdo sukses”, ka shkruar Hadërgjonaj. /Koha.net/
