Britania: Krenarë me rolin tonë në parandalimin e një katastrofe humanitare në vitin 1999
Mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje të gjerë aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Aktgjykimi u shpall të mërkurën në Hagë, ndërsa katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën fajtorë për disa krime lufte dhe u dënuan me burgim.
Washington Post ka raportuar për dënimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me 25 vjet burgim.
Gazeta amerikane përshkruan edhe momentin e shpalljes së dënimit, duke shkruar se Thaçi, i veshur me kostum dhe kravatë, qëndroi në heshtje teksa kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, lexoi dënimin.
Associated Press (AP) ka raportuar edhe për reagimet në Kosovë pas aktgjykimit. Sipas AP-së, mijëra persona u mblodhën në Prishtinë gjatë fundjavës në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së.
“Protestuesit mbushën sheshin qendror të kryeqytetit, shumë prej tyre duke mbajtur flamuj kuq e zi shqiptarë”.
Agjencia amerikane thekson gjithashtu se nëpër Prishtinë ishin vendosur portrete të katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa një orë e madhe digjitale numëronte mbrapsht deri në shpalljen e aktgjykimit.
Edhe Blick në Zvicër i ka kushtuar rëndësi vendimit.
Në raportimin e saj, Blick është ndalur edhe te e kaluara e Thaçit në Zvicër dhe roli i tij në UÇK. Gazeta shkruan se fokusi i procesit ishte UÇK-ja, organizata e armatosur që luftoi për pavarësinë e Kosovës nga Serbia gjatë viteve të fundit të viteve ’90.
Sipas Blick, Thaçi kishte jetuar në Zvicër për disa vite. Nga viti 1994 deri më 1998, ai ishte në mërgim në këtë shtet, ku kishte marrë azil politik dhe kishte studiuar shkenca politike në Universitetin e Cyrihut. Në vitin 1998, ai ishte kthyer në Kosovë.
Për aktgjykimin ka raportuar edhe CNN, duke rikujtuar rolin e Thaçit gjatë luftës dhe më pas në proceset politike që çuan drejt pavarësisë së Kosovës.
CNN ka përmendur edhe pjesëmarrjen e Thaçit në bisedimet e paqes në Rambuje në vitin 1999, ku ai ishte pjesë e delegacionit të UÇK-së si drejtor politik. Sipas raportimit, Thaçi më vonë u përqafua politikisht nga liderë perëndimorë, të cilët e shihnin si një figurë që mund ta udhëhiqte Kosovën drejt pavarësisë.
Edhe The Guardian ka raportuar për aktgjykimin, duke u ndalur në dënimin e Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së. Gazeta britanike ka përmendur gjithashtu mbështetësit e tyre në Kosovë, të cilët u mblodhën për të ndjekur shpalljen e vendimit.
Reuters e ka raportuar vendimin si një zhvillim të rëndësishëm në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Ndërkohë, Al Jazeera ka vendosur aktgjykimin në kontekstin e luftës së Kosovës, duke rikujtuar viktimat dhe dëbimin e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre gjatë luftës.
Sipas Al Jazeera-s, shumica e rreth 13 mijë personave që humbën jetën gjatë luftës në Kosovë ishin shqiptarë etnikë. Televizioni arab ka rikujtuar edhe fushatën ajrore 78-ditore të NATO-s kundër forcave serbe, pas së cilës përfundoi lufta, si dhe faktin se rreth një milion shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Për aktgjykimin ka raportuar edhe Deutsche Welle (DW), e cila është ndalur te perceptimi që Thaçi dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së kanë në Kosovë.
“Të akuzuarit nderohen si heronj kombëtarë në Kosovë, ndërsa UÇK-ja dhe Thaçi shihen si simbole të lëvizjes për pavarësi.”
DW ka rikujtuar se Thaçi mbeti figurë qendrore në politikën e Kosovës edhe pas luftës dhe se kishte rol në procesin që çoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Gazeta gjermane ka raportuar gjithashtu se aktgjykimi në Hagë u transmetua drejtpërdrejt në Prishtinë, ku u mblodhën mijëra mbështetës të Thaçit dhe UÇK-së. /Albanianpost.com