Pas vendimit të Hagës, çfarë vjen më pas për ish-krerët e UÇK-së?

Vendimi që dënoi Hashim Thaçin me 25 vjet burg, Jakup Krasniqin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet nuk e mbyll procesin gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, beteja juridike mund të zhvendoset në nivelin tjetër: Gjykatën e Apelit.

Pikërisht këtu nis një proces i ri procedural, në të cilin mbrojtja mund të kundërshtojë konstatimet e shkallës së parë, ndërsa një panel tjetër gjyqtarësh do të shqyrtojë nëse gjatë gjykimit janë bërë gabime që kërkojnë ndërhyrjen e tij.

Praktika e deritanishme e vetë Dhomave të Specializuara tregon se Apeli nuk është thjesht formalitet. Në çështje të mëparshme ai ka ndërhyrë në aktgjykimet e shkallës së parë, përfshirë në masën e dënimit.

Por kjo nuk do të thotë se e njëjta gjë do të ndodhë me Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin. Çdo apel shqyrtohet mbi bazën e dosjes dhe argumenteve juridike të çështjes konkrete.

Çfarë ndodh pas vendimit?

Hapi i parë është njoftimi për Apel.

Sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, pala që dëshiron të apelojë aktgjykimin duhet të paraqesë njoftimin përkatës brenda afatit procedural të parashikuar.

Por Apeli nuk do të thotë se gjyqi disa-vjeçar fillon edhe një herë nga zero.

Mbrojtja duhet të identifikojë konkretisht pjesët e aktgjykimit që kundërshton dhe arsyet përse pretendon se trupi gjykues ka gabuar.

Ligji i Dhomave të Specializuara parashikon apelimin mbi bazën e një gabimi juridik që e bën vendimin të pavlefshëm, një gabimi faktik që ka shkaktuar dështim të drejtësisë, si dhe kundërshtimin e dënimit.

Në praktikë, avokatëve nuk u mjafton të argumentojnë se nuk pajtohen me vendimin. Ata duhet të tregojnë ku pretendojnë se ndodhet gabimi dhe çfarë pasoje ka pasur ai në aktgjykim.

Këtu mund të përfshihen mënyra se si janë vlerësuar prova të caktuara, konstatimet faktike, interpretimi i ligjit dhe mënyra se si është përcaktuar përgjegjësia individuale e secilit të dënuar.

Kush do ta shqyrtojë Apelin?

Çështja nuk do të shqyrtohet nga të njëjtët gjyqtarë që dhanë vendimin e shkallës së parë.

Procedura kalon përpara një Paneli të Gjykatës së Apelit, i përbërë nga gjyqtarë të tjerë.

Paneli shqyrton bazat e ankimit të ngritura nga palët dhe, në varësi të përfundimeve të tij, mund të lërë në fuqi vendimin ose të ndërhyjë në pjesë të tij.

Se kjo kompetencë nuk është vetëm teorike e tregojnë çështjet e përfunduara më parë nga Dhomat e Specializuara.

Çfarë ndodhi me Pjetër Shalën?

Një nga precedentët më të afërt për nga natyra e akuzave është çështja e Pjetër Shalës.

Shala u shpall fajtor në korrik 2024 për krime lufte dhe u dënua me 18 vjet burg.

Mbrojtja e çoi çështjen në Apel.

Pas zhvillimit të procedurës, më 14 korrik 2025 Paneli i Apelit la në fuqi fajësinë e tij për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, por pranoi pjesërisht tri prej bazave të ankimit të mbrojtjes.

Rezultati ishte ndryshimi i dënimit.

Nga 18 vjet burg të dhëna në shkallën e parë, Shala u dënua përfundimisht nga Apeli me 13 vjet burg.

Sipas të dhënave të Dhomave të Specializuara, procedura e tij në Apel zgjati rreth 10 muaj e 13 ditë.

Ky është një precedent me rëndësi për të kuptuar kompetencat e Apelit: fajësia mund të mbetet në fuqi, ndërsa pjesë të tjera të aktgjykimit, përfshirë dënimin, mund të ndryshojnë.

Mustafa: nga 26 në 22 dhe më pas në 15 vjet

Edhe më interesante për të kuptuar rrugën procedurale është çështja e Salih Mustafës.

Mustafa u dënua në shkallën e parë, në dhjetor 2022, me 26 vjet burg për krime lufte.

Ai e apeloi vendimin.

Më 14 dhjetor 2023, Paneli i Apelit la në fuqi fajësinë për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, por ndryshoi dënimin: nga 26 në 22 vjet burg.

Procedura e Apelit kishte zgjatur rreth 10 muaj e 12 ditë.

Por çështja Mustafa nuk përfundoi aty.

Mbrojtja iu drejtua më pas Panelit të Gjykatës Supreme me një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Më 29 korrik 2024, Supremja e pranoi pjesërisht kërkesën dhe anuloi pjesën e vendimit të Apelit që lidhej me dënimin prej 22 vjetësh, duke ia kthyer çështjen Panelit të Apelit për një përcaktim të ri të dënimit.

Në shtator 2024, pas këtij rishqyrtimi, dënimi i Mustafës u përcaktua në 15 vjet burg.

Ky rast tregon edhe diçka tjetër: në kushtet e përcaktuara nga ligji, mundësitë juridike nuk përfundojnë domosdoshmërish me aktgjykimin e parë të Apelit.

Çfarë tregon Gucati-Haradinaj?

Një tjetër precedent procedural është çështja e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, megjithëse këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm.

Ndryshe nga Mustafa dhe Shala, çështja e tyre nuk ishte gjykim për krime lufte, por lidhej me vepra kundër administrimit të drejtësisë.

Të dy u dënuan në shkallën e parë me nga katër vjet e gjashtë muaj burg dhe gjobë prej 100 eurosh.

Ata paraqitën njoftimet e Apelit më 17 qershor 2022. Konferenca para Apelit u zhvillua më 5 korrik, ndërsa seanca e Apelit më 1 dhe 2 dhjetor të atij viti.

Vendimi erdhi më 2 shkurt 2023.

Paneli i Apelit ndërhyri në aktgjykimin e shkallës së parë dhe dënimi për secilin u reduktua nga katër vjet e gjashtë muaj në katër vjet e tre muaj, ndërsa gjobat mbetën në fuqi.

Rasti është i dobishëm për të kuptuar funksionimin e Apelit, por për nga natyra e akuzave, Mustafa dhe Shala përbëjnë krahasime më të drejtpërdrejta me procesin aktual.

Sa mund të zgjasë Apeli i Thaçit dhe të tjerëve?

Këtu precedentët japin një orientim, por jo një përgjigje.

Në dy çështjet e përfunduara për krime lufte, procedura e Apelit zgjati rreth dhjetë muaj: 10 muaj e 12 ditë për Mustafën dhe 10 muaj e 13 ditë për Shalën.

Por nuk mund të nxirret prej tyre përfundimi se edhe Apeli i Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit do të zgjasë kaq.

Çështja e katër ish-krerëve të UÇK-së është shumë më voluminoze. Ka katër të dënuar, ekipe të veçanta mbrojtëse, një numër shumë më të madh dëshmitarësh dhe provash dhe një aktgjykim që mbulon një numër të madh ngjarjesh dhe konstatimesh.

Prandaj, precedentët tregojnë si funksionon rruga procedurale, por nuk mund të përdoren për të parashikuar kalendarin apo rezultatin e çështjes së Thaçit dhe të tjerëve.

A mund të ndryshojnë dënimet?

Po, kjo është juridikisht e mundur.

Por është e rëndësishme të ndahet mundësia juridike nga parashikimi i rezultatit.

Rastet Mustafa dhe Shala tregojnë se Paneli i Apelit ka ndërhyrë më parë në dënime të dhëna për krime lufte.

Ato nuk tregojnë se një ndërhyrje e tillë do të ndodhë edhe në këtë rast.

Mbrojtjet e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit duhet fillimisht të përcaktojnë bazat e ankimit dhe më pas të bindin Panelin se gabimet që pretendojnë janë të tilla që kërkojnë ndryshimin e aktgjykimit.

Kështu, pas viteve të dëshmive, provave dhe përballjeve në sallën e gjyqit, beteja juridike ndryshon natyrë.

Pyetja kryesore nuk është më vetëm se çfarë provash u paraqitën në gjykim.

Tani ajo bëhet: a i vlerësoi drejt ato prova dhe a e zbatoi drejt ligjin trupi gjykues kur arriti te vendimi i 16 shtatorit?

Kjo është çështja që mund të kalojë tani në duart e Apelit. /Albanianpost.com

Read Previous

Gogu pas vendimit në Hagë: Moment i rëndë për Kosovën dhe shqiptarët kudo

Read Next

Nga 24 vjet burg në pafajësi: A mund të përsëritet “rasti Gotovina” me ish-krerët e UÇK-së?