Pas kritikave të kongresistit amerikan ndaj Hagës, Hoxhaj: Padrejtësia duhet të marrë fund

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas deklaratës së kongresistit amerikan Keith Self, i cili kritikoi procesin gjyqësor në Hagë dhe shprehu shpresën se paragjykimet politike nuk do të ndikojnë në vendimin për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hoxhaj ka publikuar një fotografi nga takimi që kishte zhvilluar me kongresistin Self në maj të këtij viti në Prishtinë, duke bërë të ditur se gjatë këtij takimi kishte ngritur shqetësimet e tij për procesin ndaj liderëve të UÇK-së.

“Në maj të këtij viti, gjatë takimit në Prishtinë me kongresistin amerikan Keith Self, shpreha shqetësimin tim të thellë për procesin e padrejtë ndaj liderëve të UÇK-së në Hagë. Kërkova mbështetjen e tij për një gjykim të drejtë dhe lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, si dhe që kjo çështje të ngrihej në Kongresin Amerikan”, ka shkruar Hoxhaj.

Ish-ministri i Jashtëm e ka falënderuar kongresistin amerikan për ngritjen e zërit kundër ndikimit të politikës në drejtësi, duke theksuar se procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka zgjatur tepër.

“E falënderoj kongresistin Self për qëndrimin e tij dhe për ngritjen e zërit kundër ndikimit të politikës në drejtësi. Padrejtësia ndaj çlirimtarëve ka zgjatur tepër dhe duhet të marrë fund”, ka deklaruar ai.

Hoxhaj ka kërkuar shpalljen e plotë të pafajësisë dhe kthimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së në Kosovë.

“Drejtësia duhet të triumfojë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi duhet të shpallen plotësisht të pafajshëm dhe të kthehen në Kosovë!”, ka përfunduar Hoxhaj.

Read Previous

Sot seanca dëgjimore për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën në Kongres, i ftuar zyrtari i State Departamentit

Read Next

Koci: Nëse zbatohen të njëjtat kritere si në rastin Haradinaj, pres që Thaçi dhe të tjerët të lirohen